Një polic serb mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos sot në Loznicë të Serbisë. Sipas zyrtarëve serb i dyshuari për këtë rast është kosovari i arratisur nga burgu i Kosovës A.H.
Lidhur me këtë rast kanë reaguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Sipas një njoftimi MPJD tha se është duke mbledhur informacione rreth këtij rasti.
“Të dashur qytetarë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në njoftim.
Nga ministria e Brendshme e Serbisë thonë se në veturën e të dyshuarit është gjetur një pasaportë e Kosovës si dhe një letërnjoftim i Gjermanisë.
Për kërkimin e të dyshuarit për sulm, autoritetet serbe kanë ngritur në ajër dronë e helikopterë si dhe kanë kërkuar ndihmë e shumë njësive të policisë kufitare në Serbi.