Ligji i ri ushtarak rus sugjeron se Moska po pret një konflikt të gjatë në shtetin ukrainas, paralajmëron inteligjenca britanike.
Një ligj i ri rus ka hequr një pengesë që u ka mundësuar burrave të shmangin angazhimin në ushtri ndërsa sugjeron se Moska po përgatitet për një konflikt të gjatë në Ukrainë, thotë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Presidenti rus, Vladimir Putin u raportua se kishte nënshkruar një projekt-ligj që krijonte një sistem dixhital të ftesave, duke e bërë më të lehtë mobilizimin e rusëve dhe ka ngjallur frikë në vend mes luftës me Ukrainën.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi se sipas ligjit, autoritetet do të jenë në gjendje t’i dërgojnë dokumentet për mobilizim në mënyrë elektronike, në vend të letrës.
“Me të dhënat e thirrjeve të individëve që tani janë lidhur në mënyrë dixhitale me shërbimet e tjera në internet, besohet se autoritetet do të ndëshkojnë ata që shmangin detyrimet ushtarake duke kufizuar automatikisht të drejtat e punësimit dhe duke kufizuar udhëtimet jashtë vendit”, shkruan në njoftim.
Masat – të raportuara se do të hyjnë në fuqi më vonë gjatë vitit – nuk treguan në mënyrë specifike ndonjë valë të re të madhe të mobilizimit të detyruar, pohoi inteligjenca britanike.
Rusia, tani për tani, i jep përparësi rekrutimit në baza vullnetare, të tillë, si mercenarët e Wagnerit.