RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Irani: Nuk kërkojmë të bëjmë armë bërthamore, gati për marrëveshje paqësore me SHBA-në

irani:-nuk-kerkojme-te-bejme-arme-berthamore,-gati-per-marreveshje-paqesore-me-shba-ne

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Saeed Khatibzadeh, tha të martën se Irani nuk po kërkon armë bërthamore, duke theksuar se Teherani synon të arrijë një marrëveshje paqësore mbi programin bërthamore me SHBA-në, raporton Anadolu.

Duke folur në Forumin Strategjik të Abu Dhabit, Khatibzadeh theksoi se programi bërthamor i Teheranit është paqësor, i bazuar në aftësitë e brendshme të Iranit.

“Armët bërthamore nuk janë pjesë e programit të Iranit”, shtoi Khatibzadeh, i cili gjithashtu drejton Qendrën për Diplomaci Publike të Ministrisë së Jashtme.

Megjithatë, diplomati i lartë iranian akuzoi Washingtonin se po dërgon “mesazhe kontradiktore në lidhje me negociatat mbi programin bërthamor të Iranit përmes palëve të treta”.

Khatibzadeh tha se arritja e një marrëveshjeje me SHBA-në është e mundur vetëm brenda direktivave të Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka këmbëngulur vazhdimisht në dialog të bazuar në respekt të ndërsjellë midis dy palëve.

Irani nuk do të bëjë kompromis për çështjet e sigurisë së tij kombëtare, theksoi ai.

Komentet e tij vijnë ndërsa Irani dhe SHBA-ja mbeten në një bllokim mbi rifillimin e diplomacisë indirekte mbi programin bërthamor, e cila u ndërpre pas sulmeve izraelite në mesin e qershorit. Sulmi ndodhi vetëm dy ditë para raundit të gjashtë të planifikuar të negociatave të tërthorta mbi programin bërthamor Iran-SHBA të ndërmjetësuara nga Omani.

Zyrtarët iranianë fajësuan SHBA-në për sulmet izraelite, të cilat shkaktuan një luftë 12-ditore midis dy armiqve të betuar, duke rezultuar në mbi 1.000 viktima në Iran, përfshirë komandantë të lartë.

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se lidhjet e Iranit me SHBA-në përcaktohen nga “përvoja e gjatë historike”, duke i bërë jehonë fjalimit të fundit të Ajatollah Khameneit.

“Disa sugjerojnë që Irani duhet të ndërmarrë ‘hapa të guximshëm’ të njëanshëm, duke injoruar agresionin dhe sjelljen rajonale të Amerikës, por kjo është e pasaktë. SHBA-ja sulmoi Iranin, mburren me të dhe më pas pretendojnë gatishmëri për negociata”, tha ai.

Irani pohon se vazhdon të përmbushë detyrimet e tij bërthamore si vend nënshkrues i Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT) dhe mbron pasurimin e tij të uraniumit në masën 60 për qind. Agjencia bërthamore e OKB-së dhe vendet perëndimore, megjithatë, kanë ngritur pyetje në lidhje me këtë.Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.

Tema relevante

Related posts

Vuçiq flet në telefon me Cholletin, temë diskutimi Kosova

Muhamet Ramadani

Osmani e pret në takim ministrin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar

Muhamet Ramadani

Lazzarini: UNRWA-ja ka fonde deri në fund të gushtit

admin