Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, i përshkroi protestat e vazhdueshme në Izrael për shkak të reformës gjyqësore të diskutueshme të qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu si “zjarr në shtëpinë e pushtuesve që përhapin zjarr”, transmeton Anadolu.
Përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Twitter, Kanaani, ka vlerësuar protestat e vazhdueshme kundër reformës në drejtësi në Izrael.
Duke i cilësuar protestat në vend si “zjarr në shtëpinë e pushtuesve që përhapin zjarr”, Kanaani e vlerësoi përpjekjen e Netanyahut si një përpjekje për të “qëndruar në pushtet” dhe deklaroi se protestat ishin të paprecedentë në historinë e Izraelit.
“Përpjekja e regjimit izraelit për të rritur fuqinë dhe mbijetesën e kryeministrit vrasës ka çuar edhe një herë në protesta të paprecedentë në komunitetin sionist dhe përleshje në rrugë midis pushtuesve të tokës palestineze” tha Kanaani.
Duke kritikuar mbështetjen e shteteve perëndimore ndaj Izraelit, Kanaani e cilësoi si “qesharake” mbështetjen që i është dhënë këtij vendi në baza demokracie nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Evropa.
“Reforma gjyqësore” e diskutueshme e qeverisë Netanyahu
Ministri izraelit i Drejtësisë, Yariv Levin, më 5 janar njoftoi se ata po planifikojnë një “reformë gjyqësore” që do të kufizonte kompetencat e Gjykatës së Lartë dhe do t’i lejonte qeverisë të kishte fjalë në emërimet gjyqësore.
Netanyahu më 27 mars njoftoi se po shtynte reformën gjyqësore, që shkaktoi protesta dhe greva masive në të gjithë vendin.