Lojtarët e përfaqësueses së Republikës së Irlandës pritet të mbajnë shirita të zinj në krahë në ndeshjen e së dielës kundër Izraelit në Ligën e Kombeve, në shenjë kujtimi për të gjitha jetët e humbura në konfliktin në Gaza.
Shefi ekzekutiv i Federatës Irlandeze të Futbollit (FAI), David Courell, konfirmoi se një lojtar është tërhequr nga grumbullimi para ndeshjes.
Sipas Courell, lojtarët kanë zhvilluar një votim dhe një “shumicë e konsiderueshme” ka votuar në favor të zhvillimit të ndeshjes.
Ndeshja do të luhet në Debrecen të Hungarisë, ndërsa ndeshja e kthimit mes dy skuadrave do të zhvillohet javën e ardhshme në Serbi.
Përveç mbajtjes së shiritave të zinj, lojtarët irlandezë kanë planifikuar edhe veprime të tjera gjatë ndeshjeve me Izraelin. Ata nuk do të marrin pjesë në disa pjesë të ceremonisë para ndeshjes dhe synojnë të dhurojnë një shumë të konsiderueshme për organizata bamirësie nga të ardhurat e ndeshjeve me Izraelin dhe Austrinë.
Ndeshjet mes Irlandës dhe Izraelit kanë shkaktuar polemika, ndërsa një fushatë e quajtur “Stop The Game”, e organizuar nga grupi “Irish Sport for Palestine”, ka bërë thirrje që Irlanda të tërhiqet nga këto përballje. /mesazhi

