RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Isufajt i hapet rruga për dekretim si kryeprokuror i shtetit

isufajt-i-hapet-rruga-per-dekretim-si-kryeprokuror-i-shtetit

Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë dekretimit të Blerim Isufajt kryeprokuror të shtetit.

Një prej kundërkandidatëve të Isufajt, Shqipdon Fazliu, pati paraqitur kërkesë në gjykata për vlerësimin e vendimit të Këshillit Prokurorial. Themelorja, Apeli e Supremja patën vendosur që padia ishte e pasafatshme dhe këtë e ka konstatuar edhe Kushtetuesja. Ishte ky proces gjyqësor mbi të cilin presidentja Vjosa Osmani arsyetonte mosdekretimin e Isufajt, tash e një vit që nga zgjedhja si kryeprokuror.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet po ashtu se aktgjykimi i Supremes, ndërlidhur me aktvendimin e apelit dhe të Themelores, nuk janë në kundërshtim me “Të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.

“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi [ARJ.nr.114/2022] i 23 dhjetorit 2022 i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ndërlidhur me Aktvendimin [AA.nr.650/2022] e 1 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [A.nr.1875/22] e 2 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta në gjykim të paanshëm) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në vendim të Kushtetueses.

Isufaj është zgjedhur kryeprokuror i shtetit më 6 prill 2022.

Presidentja Osmani në vazhdimësi e pyetur për shtyrjen e dekretimit potencial të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, arsyetohej me kontestimin e procesit nëpër gjykata. Ajo pati deklaruar se pret përfundimin e proceseve gjyqësore për t’i dhënë epilog çështjes.

Isufaj jo rrallë herë ka qenë i akuzuar nga pushteti i ri. Në maj të sivjetmë, kryeministri Albin Kurti u shpreh se Isufaj” do që të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit”. Deklaratën e pati dhënë në kohën e arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Related posts

Jasharaj: Mosshpërndarja e teksteve mund të shkaktojë probleme në fillimin e vitit shkollor

admin

Erdoğan bisedë telefonike me Zelenskyy-n, trajtohen tërmetet në Turqi dhe zhvillimet rreth luftës Rusi-Ukrainë

admin

Komandanti izraelit i parashutistëve vritet në betejat në jug të Gazës

admin6