Kryeministri i Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh njoftoi se Italia ka hequr embargon e zbatuar prej 10 vitesh ndaj aviacionit civil libian, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga faqja e tij zyrtare në Facebook, Dbeibeh tha: “Qeveria italiane na njoftoi vendimin e saj për të hequr ndalesën ajrore të zbatuar ndaj aviacionit civil libian 10 vite më parë dhe për të filluar sërish fluturime në shtatorin e ardhshëm”.
Dbeibeh shprehu falënderimet ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe ndaj të gjithë atyre të cilët kanë kontribuar në heqjen e embargos. Ndërkohë nga qeveria italiane nuk është bërë ndonjë deklaratë lidhur me çështjen.
Kryeministri libian, Abdul Hamid Dbeibeh në një vizitë që zhvilloi më 7 qershor në Itali, nënshkroi me kryeministren Meloni memorandume mirëkuptimi në fushën e energjisë, sigurisë dhe infrastrukturës.
Dbeibeh dhe Meloni diskutuan edhe për punimet e komiteteve dypalëshe lidhur me heqjen e embargos ajrore ndaj aviacionit civil libian në Itali.
Komisioni Evropian (KE) në vitin 2014 për arsye lidhur me kontrollet e sigurisë, ndaloi avionët e “Libyan Airlines” të kalonin nëpër hapësirën ajrore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE).