Autoritetet antimafia të Italisë kanë shkatërruar një rrjet kriminal të dyshuar për lidhje me kontrabandistët shqiptarë të drogës dhe për kryerjen e një sërë vjedhjesh në shtëpi luksoze, njoftoi zyra e prokurorit kombëtar kundër mafias në Itali, transmeton Anadolu.
Autoritetet thanë se arrestuan tetë persona – pesë shtetas shqiptarë, një të Maqedonisë së Veriut dhe dy italianë – pas një hetimi që filloi në nëntor 2019.
Hetimi u fokusua në trafikun e drogës në rrugën midis Shqipërisë dhe rajonit jugor italian të Pulias, thanë prokurorët.
Autoritetet zbuluan se të arrestuarit kishin shitur sasi të mëdha kokaine dhe marihuane në Itali, një pjesë e së cilës kontrabandohej nga Shqipëria. Ata zbuluan gjithashtu se të dyshuarit po drejtonin një plantacion marihuane në një zonë natyrore pranë Romës.
Nga hetimet u zbulua gjithashtu se kriminelët e dyshuar kishin kryer vjedhje të shumta në shtëpitë luksoze italiane, veçanërisht në Romë, duke vjedhur sende shumë të vlefshme, si orë luksoze, sende të çmuara dhe shufra ari.
Autoritetet konfiskuan sasi ari dhe argjendi, me gjasë gati për t’u shitur në tregun e zi, më shumë se një kilogram kokainë dhe marihuanë dhe 15.000 euro para të gatshme.