RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Izolim brenda izolimit në Bregun Perëndimor

izolim-brenda-izolimit-ne-bregun-perendimor

Tash e 40 ditë qëkur Hamasi sulmoi Izraelin, 11 mëhalla palestineze brenda H2 – që përbëhet nga 750 familje – janë nën rrethimin më të ashpër që është vendosur në 20 vjetët e fundit. “Ky është vendi i izoluar brenda një vendi të izoluar”, thotë Muhammad

Fawaz Qafisha çau derën e hyrjes dhe futi kokën në të çarë dhe u drejtua kah dielli. Rrugët ishin të zbrazëta, duke e kursyer ushtarin izraelit që ishte ulur në një karrige përballë shtëpisë së Qafishas.

Para se Qafisha t’i përshtaste sytë me dritën dhe na pa neve që po vinim drejt tij, ushtari izraelit veç i ishte afruar te këmbët, ia drejtoi automatikun dhe e urdhëroi Qafishan të kthejë brenda.

Kuzhinieri 52-vjeçar na bënte me dorë që të nguteshim. “Kështu është tani secilën herë që e hapim derën”, thotë ai teksa hyjmë në shtëpinë e tij. “Nuk na lejohet as të qëndrojmë para dritares”.

Qafisha, i lindur dhe rritur në Hebron të Bregut të pushtuar Perëndimor, është banor i H2, lagjes me popullsi të dendur dhe shumë të fortifikuar. Ka 39 mijë banorë dhe 900 kolonë izraelitë që konsiderohen më ekstremët në territorin e pushtuar. Palestinezët dhe izraelitët në H2 janë të ndarë në disa vende dhe të rrethuar nga kamerat, postblloqet dhe muret prej betoni dhe me gjemba.

Tash e 40 ditë qëkur Hamasi sulmoi Izraelin, 11 mëhalla palestineze brenda H2 – që përbëhet nga 750 familje – janë nën rrethimin më të ashpër që është vendosur në 20 vjetët e fundit.

Popullsia e H2 është pothuajse palestineze, por lagjja është nën kontrollin total të ushtrisë izraelite, e cila në javët e fundit ka detyruar palestinezët që të qëndrojnë në shtëpi.

Qafisha dhe familja e tij nëntë anëtarësh nuk është larguar nga shtëpia, thotë ai. Nuk dëshiron të rrezikojë. “E patë se çfarë ndodhi kur erdhët ju. Kemi derë që nuk e hapim dhe dritare nga e cila nuk guxojmë të shikojmë. Nuk kemi liri. Po jetojmë në frikë”, shton ai.

Shtëpia e Qafishas ndodhej shumë afër rrugës Shuhada, dikur një nga rrugët më të ngarkuara të tregut palestinez në Hebron. Në vitin 1994, vrasja 29 myslimanëve nga një ekstremist hebre në xhami aty nxiti trazirat, por pasoi kundërpërgjigjja nga ushtria izraelite. Ushtria mbylli me forcë bizneset palestineze dhe më pas mbylli dyert e shtëpive palestineze në anën e rrugës Shuhada.

Që atëherë, palestinezët e zonës përreth rrugës Shuhada kanë kaluar nëpër kufizime të ndryshueshme se ku mund të shkojnë, kur dhe si. Konfliktet izraelito-palestineze shpesh kanë çuar në forma bllokimi, por disa banorë kanë thënë për BBC-së se kjo ishte më e ashpra që kishin përjetuar ndonjëherë.

Qindra metra lart rrugës nga shtëpia e Qafishas, Zleekhah Mohtaseb, ish-cicerone dhe përkthyese 61-vjeçare, po shikonte nga çatia e saj, duke parë kolonin e ri izraelit që bërtiste teksa ecte në rrugën Shuhada.

Mohtaseb i kishte kaluar të gjitha gjashtë dekadat e saj duke hedhur gurë nga vendi ku ajo qëndronte tani, thotë ajo. Direkt matanë rrugës Shuhada, jo më shumë se 20 metra larg, ndodheshin varrezat e Hebronit ku u varrosën 10 breza të familjes së saj. Njëherë e një kohë mund të ecte drejt nëpër rrugë dhe në varreza. Tani asaj iu desh një orë me makinë.

“Kolonët”, thotë ajo, duke tundur kokën, teksa i riu izraelit ecte pranë derës së saj të mbyllur me saldim. “Ata mund të bëjnë çfarë të duan. Ata janë njerëzit e zgjedhur”.

40 ditë të rënda

Mohtaseb kishte përjetuar shumë gjatë jetës së saj në Hebron, por 40 ditët e fundit kishin qenë ndër më të tensionuarat, thotë ajo. Disa orë pasi Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 izraelitë, banorët palestinezë të H2 morën mesazhe nga ushtria izraelite se nuk lejoheshin më të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Ushtarët izraelitë filluan t’i detyronin njerëzit të dilnin nga rrugët nën kërcënimin e armëve, përfshirë Mohtasebin. “Ato dy javët e para ishin ferr”, thotë ajo.

Dy javë pasi filloi, shtetrrethimi në H2 u zbut pak, duke i lejuar palestinezët të dilnin nga shtëpitë e tyre për orë të caktuara të dielave, të martave dhe të enjteve. Më pas të enjten e kaluar teksa Mohtaseb po përgatitej të takohej me ne, tre militantë palestinezë nga Hebroni sulmuan një pikë kontrolli izraelite që ndante Bregun Perëndimor nga Jerusalemi, duke vrarë një ushtar dhe duke plagosur pesë të tjerë. Ajo e dinte se sulmi do të zgjaste dhe do të intensifikonte kontrollin në H2.

“Të gjithë thonë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Mirë. Ne nuk jemi kundër. Po ne, palestinezët?”, pyet ajo.

“Shumë herë na sulmuan, shumë herë na vranë, shumë herë na detyruan të largoheshim nga shtëpitë tona. Ku ishte kjo e drejtë për t’u mbrojtur kur u sulmuan palestinezët?”, thotë ajo.

H2 nisi të ndërtohej në 1997 kur Hebroni u nda në dy pjesë, sipas marrëveshjes mes Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe Izraelit. H1, i populluar tërësisht nga palestinezët dhe i kontrolluar nga Autoriteti Palestinez, përbën afërsisht 80 për qind të qytetit. H2, e cila përbën vetëm 20 për qind të qytetit, është e populluar pothuajse tërësisht nga palestinezët, por kontrollohet nga ushtria izraelite. Brenda H2, zona rreth rrugës Shuhada dhe Xhamisë Ibrahimi është më e fortifikuara me postblloqe dhe roja. Në dekadat e fundit ka përjetuar tensione, dhunë dhe sulme terroriste nga të dyja anët.

“Ky është vendi i izoluar brenda një vendi të izoluar”, thotë Muhammad Mohtaseb, rojë sigurie i spitalit në Hebron.

“Ne jemi të rrethuar plotësisht nga postblloqet”, thotë ai. “Edhe në një ditë të mirë, nuk mund të ngas automjetin, asnjë automjet nuk mund të hyjë me targa palestineze. Nëse dua të sjell diçka në shtëpinë time, duhet ta mbaj gjysmë kilometri nga postblloku. Kur u martova bleva të gjitha mobiliet e reja për dhomën time të gjumit, por m’u desh t’i bëja të gjitha në copa në anën tjetër të pikës së kontrollit dhe pastaj t’i ndreqja në shtëpi”.

Ajo ishte ditë e mirë. Që nga 7 tetori liria edhe për të lëvizur nëpër rrugë ishte zhdukur. Kur arritëm në shtëpinë e Mohtasebit, ashtu si në shtëpinë e Fawaz Qafisha, një ushtar doli drejt derës dhe e urdhëroi Mohtaseb të kthehej brenda.

Tërësisht të izoluar

Lart në çati, Mohtaseb pinte cigare dhe shikonte rrugët bosh. Me tre nga katër fëmijët e tij jashtë shkollës – shkollat në H2 janë mbyllur të gjitha – Mohtaseb kishte qenë në shtëpi dhe larg punës për 40 ditë. Për fat të mirë për të, punëdhënësi e kishte kuptuar dhe ende po e paguante.

Mirëpo jo të gjithë kanë të njëjtin fat. Qafisha, kuzhinier, nuk ishte në gjendje të përmbushte përgjegjësitë e tij të punës që nga fillimi i izolimit, sepse mund të dilte vetëm tri ditë në javë dhe në ato tri ditë orët e caktuara nuk përputheshin me orët që do t’i duheshin për të udhëtuar për punë. Dhe ndryshe nga punëdhënësi i Mohtaseb, shefi i tij nuk pranonte arsyetime. “Në këto punë, nëse punon, ha”, thotë ai. “Dhe nëse nuk punon, nuk ha”.

Qafisha kishte marrë disa herë para hua nga miqtë, për të blerë ushqim për familjen, por atij po i mbaronin mundësitë. “Çdo gjë që shpenzon nuk mund ta zëvendësosh”, thotë ai, ulur në dhomën e tij të ndenjës, larg dritares. “Pra, jemi duke u fundosur”.

Të nesërmen në mëngjes pati një tjetër sulm të armatosur ndaj ushtarëve izraelitë nga një militant palestinez. Këtë herë sulmi rezultoi vetëm me vdekjen e sulmuesit. Por disa orë më vonë, një tjetër mesazh u dërgua përmes WhatsApp nga ushtria izraelite për banorët palestinezë të rrugës Shuhada.

“Një njoftim për banorët e rrugës Shuhada”, thuhet në të. “Ju ndalohet të dilni në rrugë për një javë”. Dhe nëse do të largoheshin nga H2, thuhej, nuk do të lejoheshin të ktheheshin sërish derisa të kalonte java.

Izolimi në H2 ishte “shembull i hapur se si Izraeli po zbaton ndëshkimin kolektiv në Bregun Perëndimor”, thotë Dror Sadot, zëdhënëse e organizatës izraelite të të drejtave të njeriut B’Tselem.

“Palestinezët në Hebron po paguajnë çmimin për diçka që nuk e kanë bërë”, thotë ajo. “Njerëzit nuk mund të shkojnë në punë, fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë, ata kanë vështirësi në marrjen e ujit dhe ushqimit. Është ndëshkim kolektiv dhe është i paligjshëm sipas ligjeve ndërkombëtare”.

Ushtria izraelite ka thënë për BBC-në në një deklaratë se forcat e saj operojnë në Bregun Perëndimor “në përputhje me vlerësimin e situatës në mënyrë që të ofrojnë siguri për të gjithë banorët e zonës”.

“Rrjedhimisht ka pika kontrolli dinamike dhe përpjekje për të monitoruar lëvizjen në zona të ndryshme në Hebron”, ka njoftuar ushtria izraelite.

Kalime ilegale

Mes kolonëve izraelitë që jetojnë në H2, në vendbanimin ekstrem Kiryat Arba, është ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben Gvir. Të enjten Ben Gvir, i cili ka mbikëqyrur personalisht shpërndarjen e mijëra automatikëve për kolonët e Bregut Perëndimor që nga 7 tetori, kishte thënë se Izraeli duhet të ketë të njëjtën qasje ndaj territorit që po merrte formë në Gazë, ku më shumë se 11.000 palestinezë tani janë vrarë.

Të mërkurën vetëm disa qindra metra larg shtëpisë së Ben Gvir, Areej Jabari kishte mbledhur një grup të vogël grash në shtëpinë e saj në H2, në kundërshtim me urdhrat e Izraelit për të mos lëvizur në rrugë atë ditë. Kjo ishte vetëm mbledhja e dytë e suksesshme që nga fillimi i izolimit dhe kishte vetëm tetë gra të pranishme, nga rreth 50 që zakonisht mblidheshin një herë në javë në xhami. “Ne kalojmë fshehurazi nëpër rrugët anësore dhe midis ndërtesave”, thotë duke qeshur Huda Jabari, kushërira e vogël e Areejit.

Gratë kanë mësuar, për një kohë të gjatë në izolim, të vëzhgojnë ushtarët izraelitë dhe të lëvizin kur ata nuk shohin. Ato përdorin shtëpitë e njëra-tjetrës për të shmangur pikat e kontrollit brenda H2, duke hyrë në derën e përparme në një sektor dhe duke dalë nga dera e pasme në një tjetër. “Në kohë normale, 50 familje kalojnë nëpër shtëpinë time për të lëvizur”, thotë nëna e Areej, Sameera, shtëpia e së cilës është shumë afër asaj të Ben Gvirit.

Areej na çoi në çatinë e saj për të na treguar pamjen mbi një bazë ushtarake izraelite dhe postë rojë afër shtëpisë së saj. Poshtë nesh, kolonët izraelitë kaluan përgjatë rrugës, të cilën ajo nuk lejohej ta përdorte më.

Që nga 7 tetori, Areej kishte ardhur këtu në çati me videokamerën e saj për të mbledhur pamjet e ushtarëve dhe për t’ia dërguar B’Tselem, organizatës për të drejtat e njeriut. Në kthim, ushtria izraelite mbërriti në shtëpinë e saj të shtunën e kaluar dhe u fut me forcë, thotë ajo. “Më thyen kartelën e kamerës dhe më paralajmëruan të mos bëja më video ose të mos postoja asgjë në rrjetet sociale”.

Ata gjithashtu e ndaluan atë të ngjitej në çatinë e saj ose të shikonte nga dritaret e saj të premtave ose të shtunave, kur kolonët izraelitë përdorin rrugën e saj për të ecur nga vendbanimi në vendin e shenjtë hebre pranë rrugës Shuhada.

IDF ka thënë se ishte në dijeni të incidentit të përshkruar nga Areej dhe po ndiqte me ushtarët specifikë të përfshirë për të shqyrtuar atë që ndodhi. “Ne po e marrim këtë incident shumë seriozisht”, tha një zëdhënës.

Për Areej, asgjë nuk ishte e pazakontë. “Sa herë që ndodh diçka, ata na vendosin më shumë kufizime”, thotë ajo. “Qëllimi është të na ndajnë, të ndajnë zonën në copa të vogla dhe të na bëjnë presion që të largohemi”.

“Unë e quaj këtë zonë kalaja e qëndrueshmërisë”, thotë ajo për lagjen H2. E mori kamerën dhe e drejtoi në drejtim të rojave izraelite matanë rrugës.

Përktheu: Gent Mehmeti /koha

Related posts

Burkina Faso kërkon largimin e ushtarëve francezë nga vendi

admin

Jasharaj: Nëse nuk procedohen pagat deri më 5 tetor, mund të kthehemi sërish në grevë

admin

BE-ja kërkon pauza humanitare për të përballuar ‘situatën e rëndë’ në Gaza

rezart morina