Qeveria e Izraelit njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit në Bregun Perëndimor të pushtuar me ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe liderin e Partisë së Sionizmit Fetar, Bezalel Smotrich, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga kryeministria e Izraelit thuhet se kryeministri Benjamin Netanyahu ka nënshkruar marrëveshjen e cila parashikon ndarjen e pushteteve mes Gallant dhe Smotrich, ministrit të shtetit përgjegjës për Mbrojtjen, lidhur me “Administratën e çështjeve Civile” të ushtrisë së Izraelit dhe Njësisë së Koordinimit të Aktiviteteve Qeveritare në Territoret e Palestinës (COGAT)”.
Në deklaratë nuk janë dhënë informacione se si janë ndarë Administrata e Çështjeve Civile dhe COGAT mes Gallant dhe Smotrich.
Në lajmin e faqes “The Times of Israel”, thuhet se Smotrich do të ketë kompetencë të madhe për çështjet civile për të penguar ndërtimet e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe për të dhënë miratim për ndërtimin e njësive të vendbanimeve hebreje.
Gjithashtu thuhet se Smotrich mund të emërojë zv.kreun e Administratës për Çështjet Civile ndërkohë që nuk mund të emërojë kreun e saj.
Smotrich në bisedimet e koalicionit që zhvilloi me Netanyahun në dhjetor 2022, pranoi kërkesën për të pasur kompetenca në “Administratën e Çështjeve Civile” dhe në Njësinë e Koordinimit të Aktiviteteve Qeveritare në Territoret e Palestinës (COGAT).
Më 20 janar në media u tha se Smotrich ka dhënë urdhër për mos evakuimin e vendbanimit ilegal në fshatin Jurish në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor por ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant nga partia Likud anuloi këtë urdhër.