RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Izrael, Netanyahu dhe Gantz formojnë qeveri të bashkuar emergjence

izrael,-netanyahu-dhe-gantz-formojne-qeveri-te-bashkuar-emergjence

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe lideri i opozitës Benny Gantz njoftuan sot formimin e një qeverie emergjence uniteti, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët thuhet se do të krijohet një kabinet i menaxhimit të luftës, i përbërë nga Netanyahu, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant dhe Gantz, ish-ministër i mbrojtjes.

Dy vëzhgues do të shërbejnë në kabinet – ligjvënësi Gadi Eisenkot dhe ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer.

“Pesë ministra pa portofol nga blloku i Gantzit do t’i shtohen kabinetit të sigurisë politike, njëri prej tyre si vëzhgues për kohëzgjatjen e luftës”, thuhet në deklaratë.

“Gjatë periudhës së luftës, nuk do të promovohet asnjë projektligj apo vendim i qeverisë që nuk ka të bëjë me zhvillimin e luftës, dhe të gjitha emërimet e larta do të zgjaten automatikisht gjatë periudhës së luftës”, njoftohet më tej.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite kanë nisur një fushatë të vazhdueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, një sulm i befasishëm i shumanshëm duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit, për të cilin Hamasi tha se ishte në hakmarrje për bastisjet e Izraelit në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Në përgjigje të veprimeve të Hamasit, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim paralizues që nga viti 2007.

Të paktën 1.200 izraelitë dhe 1.055 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit.

Related posts

Kovaçevski në Lubjanë: Sllovenia gjithnjë ka qenë një mbështetës i fuqishëm dhe i zëshëm

rezart morina

Gaza, në ditën e parë të Ramazanit dy foshnje tjera vdesin nga uria

rezart morina

Norvegji, organizohet fushatë për donacion të dronit turk Bayraktar TB2 për Ukrainën

admin