Ushtria izraelite arrestoi 19 palestinezë, përfshirë një grua, në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë thuhet se 6 nga 19 palestinezë të arrestuar nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor janë nga vendbanimi Kibya, afër Ramallah.
Duke thënë se një grua palestineze, nënë e katër fëmijëve, u arrestua në Betlehem, Shoqata e të Burgosurve deklaroi se që nga fillimi i vitit ushtria izraelite ka arrestuar më shumë se 4.000 palestinezë në Bregun Perëndimor dhe në Kudsin Lindor.
Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se 16 palestinezë u arrestuan gjatë kontrolleve në Bregun Perëndimor dhe në disa pika u sekuestruan pajisje ushtarake dhe municione.
Në fshatin Shuyuh al-Arrub në Al-Khalil, ngjarjet shpërthyen gjatë bastisjes së ushtarëve izraelitë. Disa persona hodhën gurë dhe kokteje molotov në automjetet e ushtrisë.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite njoftoi se është hapur zjarr në një pikë ushtarake pranë qytetit Tulkarm. Në zonë është gjetur një çantë shpine dhe kërkimet për të dyshuarin vazhdojnë.
Forcat izraelite, të cilat bastisin pika të ndryshme në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor çdo ditë tjetër, arrestojnë palestinezë me akuza të ndryshme. Herë pas here shpërthejnë incidente mes ushtarëve izraelitë dhe banorëve palestinezë të cilët reagojnë ndaj bastisjeve.