Shefi i inteligjencës ushtarake të Izraelit, Aharon Haliva, ka deklaruar se Irani ka bërë “përparim të rëndësishëm” në programin e pasurimit të uraniumit, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Pyes veten se çfarë do të bëjë komuniteti ndërkombëtar kur Irani të fillojë pasurimin me 90 për qind”, tha Haliva në një konferencë të organizuar nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS) në Tel Aviv të Izraelit.
Haliva tha se Irani po përballet me presion në rritje, duke e bërë atë “më agresiv”. Sipas tij, pritet “përgjigje shumë më agresive në rajon dhe në botë”.
Irani është tronditur nga protesta mbarëkombëtare që nga muaji shtator, për shkak të vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini gjatë kohës kur ishte në paraburgim, pasi u ndalua nga policia morale e vendit nën dyshimin se kishte shkelur kodin e veshjes.
“Nga fillimi i vitit 2022 ne kemi numëruar, përfshirë sulmet kibernetike, rreth 100 operacione që iranianët kryen”, tha Haliva.
Shefi i inteligjencës izraelite pretendoi se Irani po mendon të sulmojë Kupën e Botës në Katar.
“E vetmja gjë që i pengon ata është se si do të reagojë Katari”, tha ai.
Autoritetet iraniane akoma nuk i kanë komentuar pretendimet e shefit të inteligjencës izraelite.