RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryeministri Rama prezanton ndryshimet në kabinetin qeveritar

kryeministri-rama-prezanton-ndryshimet-ne-kabinetin-qeveritar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), ka prezantuar ndryshimet në kabitetin qeveritar të Shqipërisë, raporton Anadolu.

Në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme është propozuar Igli Hasani, i cili do të zëvendësojë ministren Olta Xhaçka. Hasani ka mbajtur më parë postin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në misionin e OSBE-së në Vjenë si dhe ka shërbyer si Koordinator Ekonomiko-Ambiental i OSBE-së.

Albana Koçiu është propozuar në postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Koçiu mban aktualisht postin e drejtoreshës së Departamentit të Administratës Publike.

Për ministre të Arsimit dhe Sportit është propozuar Ogerta Manastirliu, ministrja aktuale e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila do të zëvendësojë Evis Kushin.

Për ministër të Financave dhe Ekonomisë është propozuar Ervin Mete, i cili mban aktualisht postin e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë. Mete do të zëvendësojë në këtë post ministren Delina Ibrahimaj, e cila është propozuar për postin e ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Në postin e ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është propozuar Anila Denaj, e cila do të zëvendësojë ministren Frida Krifca. Denaj ka mbajtur më parë postin e ministres së Financave dhe Ekonomisë.

Rama tha se nuk do të ketë më një ministër shteti për Standardet e Shërbimeve, por do të ketë një ministri shteti për Pushtetin Vendor dhe në këtë post është propozuar Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.

Propozimet në fjalë do t’i dërgohen për dekretim presidentin të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe më pas do të votohen në Kuvendin e Shqipërisë. Pas votimit në Kuvend dhe pas ceremonisë së betimit në ditët në vazhdim ministrat marrin zyrtarisht detyrën.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama u ndal dhe në çështje të tjera si në marrjen nga Shqipëria të Presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë muajt shtator, sektorin e turizmit, zhvillimet në rajon dhe çështje të tjera.

“Pas pak ditësh e gjithë bota do të mblidhet në New York për Asamblenë e Përgjithshme vjetore të Kombeve të Bashkuara dhe Shqipëria do të jetë në krye të tryezës të Këshillit të Sigurimit”, u shpreh Rama.

Rama tha se këtë vit turizmi masiv i ka sjellë vendit, sidomos familjeve të përfshira në zinxhirin turistik, shumë të ardhura.

“Rajoni është në një udhëkryq të ri me dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër qorrsokak, me situatën, jo të qëndrueshme në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut që është në një situatë dramatike mes domosdoshmërisë strategjike që të kalojë sprovën e ndryshimeve kushtetuese në funksion që të vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe populizmit taktik që kërcënon me verbëri pikërisht ecurinë evropiane të shtetit fqinj. Bosnje dhe Hercegovina dihet se në çfarë kompleksiteti të rrezikshëm gdhihet dhe ngryset çdo ditë. Shqipëria është sot në pozicionin e vet më të mirë ndonjëherë, në Evropë dhe në rajon”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se Evropa nuk është në luftë vetë, por sipas tij është e përkushtuar me të gjitha problematikat që në luftën e Ukrainës “të triumfojë e drejta ndërkombëtare, jo padrejtësia e një agresioni brutal ndaj territorit të një shteti sovran”.

Related posts

Japonia bën thirrje për krijimin e një shteti palestinez

rezart morina

Vapa mund të ndryshojë oraret e punës, Gjermania këshillon “një sy gjumë në punë”

admin

Publikohet çmimi tavan: Shtrenjtohet benzina, lirohet nafta

admin