Pellgjet e Solomonit datojnë që nga shekulli i dytë para erës sonë, megjithëse ndërtimi kryesor u realizua nga romakët rreth një shekull më vonë, si pjesë e një projekti gjigant inxhinierik që përfshinte dy rezervuarë, ujësjellës dhe tunele për furnizimin me ujë të Jerusalemit, rreth 13 kilometra larg.
Pellgjet e Solomonit, të cilat datojnë që nga shekulli i dytë para erës sonë, janë shndërruar në një vend pushimi e argëtimi për banorët e Betlehemit. Por, Izraeli po kërcënon të marrë nën kontroll rezervuarët e lashtë të ujit, në atë që do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm të fushatës së tij në rritje për kontrollin e tokave në Bregun Perëndimor dhe të narrativës historike të Lindjes së Mesme.
Që kur ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, i njohur për qëndrimet e tij ekstremiste, kërcënoi hapur në maj se do t’i “fshinte” marrëveshjet që konfirmuan pronësinë palestineze mbi Pellgjet e Solomonit më shumë se 30 vjet më parë, kolonët izraelitë dhe ushtria kanë shtuar praninë e tyre rreth këtij kompleksi mbresëlënës.
Pellgjet datojnë që nga shekulli i dytë para erës sonë, megjithëse ndërtimi kryesor u realizua nga romakët rreth një shekull më vonë, si pjesë e një projekti gjigant inxhinierik që përfshinte dy rezervuarë, ujësjellës dhe tunele për furnizimin me ujë të Jerusalemit, rreth 13 kilometra larg.
Një pellg i tretë monumental u shtua gjatë sundimit osman, kur u ndërtua edhe një fortesë për të mbrojtur furnizimin me ujë. Gjatë periudhës së Mandatit Britanik në Palestinë (1923–1948), autoritetet britanike modernizuan sistemin duke instaluar tuba metalikë dhe pompa.
Sot, stacioni i pompimit prej guri të çelët, i ndërtuar në kohën e Mandatit Britanik, qëndron i braktisur në kodrat e pyllëzuara të zonës. Pellgjet, të cilat në disa vende arrijnë më shumë se 10 metra thellësi, nuk e furnizojnë më Jerusalemin me ujë, por janë kthyer në vendin kryesor të pushimit dhe rekreacionit për banorët e zonës.
Një pasdite të fundit, fëmijë nga fshatrat fqinjë Artas dhe Al-Khader hidheshin me vrap nga muret prej guri të pellgut të mesëm në ujërat e gjelbra, ndërsa disa burra peshkonin mes kallamishteve në anën tjetër.
Bastisja e paprecedentë
Pronësia palestineze mbi Pellgjet e Solomonit u njoh zyrtarisht me Marrëveshjen e Dytë të Oslos në vitin 1995.
Të premteve dhe gjatë festave, familje nga Betlehemi, rreth 3.5 kilometra në verilindje, vijnë për të kaluar mbrëmjen, për t’u larë dhe për të bërë piknik. Ndërsa qyteti është rrethuar gjithnjë e më shumë nga vendbanime të reja izraelite, pellgjet janë bërë një strehë e çmuar për banorët e Betlehemit.
Megjithëse një lagje e vendbanimit izraelit Efrat ngrihet mbi pellgje, kërcënimi u bë i menjëhershëm vetëm në maj, kur Smotrich dhe një tjetër politikan i linjës së ashpër, Zvi Sukkot, urdhëruan policinë të largonte palestinezët nga zona, në mënyrë që ata të filmonin veten duke notuar në pellgun e mesëm.
“Kjo është toka jonë”, deklaroi Smotrich, ndërsa Sukkot bëri thirrje që Izraeli të merrte nën kontroll vendin. Që atëherë, hyrjet e kolonëve janë bërë më të shpeshta, dhe më 10 korrik ushtarët izraelitë zhvilluan një bastisje të paprecedentë, duke hedhur gaz lotsjellës ndërsa fëmijët po laheshin në pellgje.
Kjo fushatë presioni ka shkaktuar zemërim në Palestinë jo vetëm për rëndësinë arkeologjike të tri pellgjeve drejtkëndore, të cilat, me një kapacitet të përbashkët prej 250 mijë metrash kub, përbëjnë një nga sistemet më të mëdha të ujit të mbijetuara nga bota e lashtë. Ajo shihet gjithashtu si një sulm i ri frontal ndaj Autoritetit Palestinez.
Sipas Marrëveshjes së Dytë të Oslos të vitit 1995, Pellgjet e Solomonit u përfshinë në zonën më të gjerë të Betlehemit, e klasifikuar si Zona A, nën administrimin civil dhe policor palestinez. Ndarja e Bregut Perëndimor në Zonat A, B (administrim civil palestinez dhe kontroll ushtarak izraelit) dhe C (administrim i plotë izraelit) ishte menduar si një fazë e ndërmjetme drejt tërheqjes së Izraelit nga territoret e pushtuara dhe krijimit të një shteti palestinez.
Gjatë gjithë kësaj fushate shumëvjeçare, Zona A është konsideruar kryesisht e paprekshme, deri në vendimin e kabinetit të sigurisë në shkurt të këtij viti, i cili shpalli kontrollin izraelit mbi vendin historik të Varrit të Rakelës brenda Betlehemit. Marrja nën kontroll e Pellgjeve të Solomonit do të krijonte një precedent të ri, duke sugjeruar se pjesë të Zonës A mund të përvetësohen sipas dëshirës me vendime të veçanta ministrore.
Gjatë vizitës së tij në pellgje në muajin maj, Smotrich tha se lënia e një “vendi kaq madhështor antik të ujit” nën kontrollin palestinez kishte qenë “një nga gabimet e tmerrshme” të Marrëveshjeve të Oslos.
“Po punojmë fort për të korrigjuar dëmin e madh të shkaktuar nga katastrofa e Marrëveshjeve të Oslos”, deklaroi ai.
Nuk është ende e qartë nëse dhe kur koalicioni izraelit do të përpiqet t’i marrë nën kontroll Pellgjet e Solomonit, por arkeologët dhe banorët palestinezë presin më shumë ndërhyrje, ndërsa zgjedhjet e tetorit në Izrael afrohen.
Ndërkohë, propagandistët izraelitë të linjës së ashpër kanë hedhur bazat e justifikimit për një marrje të mundshme të kontrollit, duke pretenduar se Autoriteti Palestinez ka lejuar degradimin e pellgjeve. Në disa pjesë kompleksi po rrënohet dhe në një cep të pellgut të mesëm mund të shihen shishe plastike dhe mbeturina të tjera.
Vakëfi Palestinez, institucioni fetar që zotëron vendin, kishte plane për ta zhvilluar atë si destinacion turistik, por këto ambicie u shuan pasi Smotrich bllokoi transferimin e të ardhurave nga taksat dhe akcizat që i takonin Autoritetit Palestinez, duke e lënë atë pa fondet e nevojshme.
Pretendimet për karakter unik hebraik
Megjithatë, emri “Pellgjet e Solomonit” është historikisht i pasaktë. Mbreti Solomon, nëse ka ekzistuar (çështje që ende debatohet), mendohet të ketë sunduar Izraelin dhe Judën rreth 800 vjet përpara se të niste ndërtimi i rezervuarëve.
Dy pellgjet e para u ndërtuan në kohën e një mbreti tjetër hebre, Herodit të Madh, një sundimtar vasal i Perandorisë Romake. Por, si shumë vende të lashta në Izrael dhe Palestinë, Pellgjet e Solomonit mbajnë gjurmët e mbivendosura të epokave dhe perandorive të ndryshme.
Palestinezët vendas e ruajtën këtë emër ndër shekuj, por Eman al-Titi, drejtoreshë e Departamentit të Turizmit dhe Antikiteteve në Betlehem, tha se ai i referohej në fakt sulltanit osman Sulejmani i Madhërishëm, i cili rindërtoi muret dhe sistemin e furnizimit me ujë të Jerusalemit në shekullin e 16-të.
“Vendet arkeologjike nuk duhet të bëhen kurrë instrumente të konfliktit politik”, tha Al-Titi.
“Kjo çështje shkon përtej kontrollit të vetë tokës. Ajo përfshin edhe përpjekjet për të rishkruar historinë dhe për të promovuar një narrativë të vetme historike, e cila nuk pasqyron provat arkeologjike apo qytetërimet e shumta që kanë kontribuar në trashëgiminë e pasur kulturore të Palestinës gjatë mijëra viteve”, shtoi Al-Titi.
Përktheu: Flutura Gashi-Mehmeti/Koha.net

