Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi vazhdimin e pushtimit në ‘Korridorin e Filadelfit’ në kufirin Egjipt-Rripi i Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas mediave lokale, ushtria izraelite i ka paraqitur Kabinetit të Sigurisë hartat në lidhje me vazhdimin e pushtimit në ‘Korridorin e Filadelfit’.
Propozimi u miratua në votim, ku 8 nga 10 anëtarë të Kabinetit të Sigurisë votuan pro vazhdimit të pushtimit të ushtrisë izraelite në ‘Korridorin e Filadelfit’.
Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant votoi kundër propozimit ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir nuk mori pjesë në takim.
Në takim kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbrojtur “domosdoshmërinë” e vazhdimit të pushtimit në korridor.
Netanyahu pretendon se ky hap “nuk do ta vështirësojë shkëmbimin e pengjeve” midis Izraelit dhe Hamasit, përkundrazi “do të bëjë edhe më të mundur një marrëveshje të mundshme”.
Një zyrtar izraelit i paidentifikuar ka pohuar se SHBA-ja ka “miratuar” hartat e përgatitura nga ushtria izraelite për vazhdimin e pushtimit në ‘Korridorin e Filadelfit’ dhe të paraqitura në Kabinetin e Sigurisë.
– Ishte një nga pengesat më të mëdha për shkëmbimin e pengjeve
Netanyahu kritikohet për përpjekjet për të penguar marrëveshjen për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit.
Pasi negociatat për shkëmbimin e pengjeve u rikthyen në rend dite, Netanyahu kërkoi disa kushte të reja për një marrëveshje të mundshme, përfshirë kontrollin e ‘Korridorit të Filadelfit’ nga ushtria izraelite.
Negociatat për shkëmbimin e pengjeve, të cilat rifilluan më 15-16 gusht në kryeqytetin e Katarit, Doha, dhe të cilat vazhdojnë me ndërprerje, janë vështirësuar për shkak të kushteve të reja që ka nxjerrë Netanyahu.
Miratimi nga Kabineti izraelit i Sigurisë për vazhdimin e pushtimit në ‘Korridorin e Filadelfit’ do të vendosë në ngërç negociatat për shkëmbimin e pengjeve.