RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Izraeli u kërkon më shumë vendeve të ndërpresin mbështetjen financiare për agjencinë e OKB-së ​

izraeli-u-kerkon-me-shume-vendeve-te-nderpresin-mbeshtetjen-financiare-per-agjencine-e-okb-se-​

Ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz u kërkoi më shumë vendeve të shtunën të ndalojnë financimin e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) pas akuzave për përfshirje nga punonjësit e saj në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit, transmeton Anadolu.

“Lidhjet e UNRWA-së me Hamasin, duke siguruar strehim për terroristët dhe duke përjetësuar sundimin e tij, janë të pamohueshme”, shkroi Katz në “X”.

Ai u kërkoi autoriteteve të largojnë udhëheqjen e UNRWA-së dhe tha se ajo duhet t’i nënshtrohet një hetimi gjithëpërfshirës në lidhje me ndërgjegjësimin e tyre për veprimet.

“Në rindërtimin e Gazës, UNRWA-ja duhet të zëvendësohet me agjenci të përkushtuara për paqen dhe zhvillimin e vërtetë”, tha ai.

SHBA-ja, Britania, Italia, Australia, Kanadaja, Finlanda dhe Holanda vendosën të pezullojnë fondet për UNRWA-në pas pretendimeve të Izraelit të premten.

UNRWA-ja tha se ndërpreu kontratat me disa punonjës me dyshimet për përfshirje në sulm.

Norvegjia mirëpriti hetimet ndaj disa punonjësve, por tha se do të vazhdojë të mbështesë palestinezët nëpërmjet UNRWA-së.

Irlanda gjithashtu njoftoi se nuk do të pezullojë fondet për agjencinë e OKB-së.

Pavarësisht një vendimi të përkohshëm të premten nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që urdhëroi Tel Avivin të parandalonte aktet e gjenocidit në Gaza, Izraeli vazhdoi sulmet e tij kundër enklavës bregdetare, ku të paktën 26.257 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 64.797 janë plagosur që nga 7 tetori, sipas autoriteteve palestineze shëndetësore.

Lufta izraelite ka zhvendosur brenda 85 për qind të popullsisë së Gazës, e cila përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa më shumë se gjysma e infrastrukturës së enklavës, sipas OKB-së, është dëmtuar ose shkatërruar.

Related posts

Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare viziton rajonin, aktivistët palestinezë bojkotojnë takimin

rezart morina

Izraeli përsërit kërkesën që palestinezët në Gaza të lëvizin vetëm në jug

rezart morina

UNICEF: Më shumë se gjysmë milion fëmijë përballen me kequshqyerje në Somali – VIDEO

admin