Pavarësisht armëpushimit dhe marrëveshjes kornizë në rajon, Izraeli ka vijuar sulmet në territorin e Libanit.
Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve, NNA, artileria izraelite ka shënjestruar qytetin Mansouri, në jug të Tirit, me disa predha.
Ndërkohë, ushtria libaneze bëri të ditur se tre ushtarë janë plagosur gjatë operacioneve për çaktivizimin e municioneve të pashpërthyera në zonën e Zautarit Perëndimor, në provincën Nabatiyeh.
Sipas një deklarate të ushtrisë, forcat libaneze ishin vendosur në Zautarin Perëndimor, në veri të lumit Litani, më 21 korrik, në kuadër të një programi pilot, pas tërheqjes së trupave izraelite nga zona.
Që prej atëherë, ushtria libaneze ka nisur operacionet e kërkimit dhe pastrimit të zonës nga municionet e pashpërthyera, gjatë të cilave ndodhi edhe incidenti që la të plagosur tre ushtarë.

