RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Izraeli, zjarre me fosfor për të rishkruar hartën etnike të Libanit!

izraeli,-zjarre-me-fosfor-per-te-rishkruar-harten-etnike-te-libanit!

Synohet të bëhet e pabanueshme pjesa jugore e vendit

Zjarrfikësit dhe banorët e Libanit jugor, kanë akuzuar hapur ushtrinë izraelite se po ndez qëllimisht zjarre në pyje dhe tokë bujqësore, duke përdorur predha fosfori dhe dronët.

Ky veprim po ndodh kryesisht pas armëpushimit të 17 qershorit, i cili ndërpreu përplasjet e mëdha mes Hezbollahut dhe Izraelit, por nuk i dha fund strategjisë izraelite të shkatërrimit sistematik të mjedisit libanez.

Britanikja The Guardian citon shefin e mbrojtjes civile në rajonin e Nabatieh, Hussein Fakih, i cili deklaroi se rreth 30-40 për qind e tokave pranë vijës së frontit janë djegur që nga armëpushimi.

Fakih tregoi se “shumica e misioneve tona tani lidhen me zjarret” dhe se çdo ditë ka bomba ndezëse të hedhura nga drone të vegjël, ndërsa predha me fosfor të bardhë – të ndaluara sipas të drejtës ndërkombëtare për përdorim në zona të banuara – përdoren për të djegur bimësinë.

Një incident i rëndë ndodhi të martën në Khiam, ku kur zjarrfikësit u përpoqën të shuajnë flakët e ndezura nga izraelitët, kur një goditje droni ra pranë tyre, i detyroi të tërhiqeshin për të shpëtuar jetën.

Në Kfarchouba, afër kufirit, zjarret kanë marrë përmasa alarmante. Një zjarr i ndezur të premten nga një dron u shua pas betejash të gjata të shtunën, por një tjetër dron izraelit ndezi një zjarr të ri të dielën.

Shefi i stacionit të mbrojtjes civile aty, Samir Hardan, theksoi se zjarrfikësit detyrohen të koordinojnë lëvizjet e tyre me ushtrinë libaneze, e cila i drejton kërkesat një grupi “de-konfliktimi” ku bën pjesë edhe Izraeli.

Megjithatë, leje për të vepruar u dhanë vetëm për dy pika, ndërsa pjesa tjetër e zonave të përfshira nga flakët u lanë në mëshirën e zjarrit. Organizatat mjedisore e cilësojnë këtë si një ekocid sistematik.

Hisham Younes, themeluesi i organizatës “Green Southerners”, tha se pyjet e pishave dhe lisave – të cilat shërbejnë si korridor për zogj shtegtarë dhe ruajnë biodiversitetin – po shkatërrohen pa mëshirë.

Ai theksoi se shkatërrimi gradual po minon aftësinë e ekosistemeve për t’u rigjeneruar dhe po shkatërron jetesën e familjeve fshatare. Younes e quajti këtë “një model shkatërrimi që gërryen aftësinë e tokës për të mbajtur jetë”, duke e lidhur drejtpërdrejt dëmin ekologjik me tentativën për të penguar kthimin e banorëve të zhvendosur.

Dhe kjo nuk është hera e parë që raportohen taktika të tilla. The Guardian kujton se në verën e 2024-s, ushtria izraelite përdori katapulta mesjetare për të hedhur mbeturina të ndezura mbi murin kufitar dhe drone që spërkatnin lëndë djegëse mbi pyje.

Ndërsa në shkurt të këtij viti, avionë izraelitë hodhën herbicide të lidhura me kancerin në ferma të jugut. Por dëshmia më prekëse vjen nga fshati Yaroun.

Drejtuesi i i tij, Hafez Ghasham, tregoi se nga 900 shtëpi, vetëm 20 kanë mbetur në këmbë. Pjesa tjetër ishte shembur me buldozerë muaj më parë. Më 1 gusht, trupat izraelite i vunë flakën ullishteve të trashëguara nga brezat dhe frutoreve të fshatit.

Ghasham deklaroi: “Këto pemë kishin vlerë të madhe sentimentale por edhe ishin një burim të ardhurash për fshatin. Ata po përpiqen ta bëjnë tokën të pabanueshme. Po fshijnë tërë historinë, kulturën dhe kujtimet tona. Ndoshta ideja është që pas ca kohësh të duket sikur askush nuk ka jetuar kurrë këtu”.

Gjatë mërgimit, banorët e zhvendosur të Yarounit, grumbulluan fonde për të blerë imazhe të shtrenjta satelitore për të dokumentuar nga larg shembjen dhe djegien e fshatit të tyre.

Ushtria izraelite, e pyetur për koment, tha se operacionet e saj zhvillohen “duke marrë masa paraprake për të zbutur dëmin ndaj civilëve dhe mjedisit”.

Por dëshmitë e shumta nga terreni dhe kronologjia e ngjarjeve tregojnë një model të qartë: zjarri po përdoret si armë për të spastruar territorin, për të djegur kujtesën dhe për të rishkruar hartën demografike të Libanit jugor – një akt që ekspertët e cilësojnë si krim lufte dhe spastrim ekologjik. tesheshi

Related posts

Kajro, fillon samiti i fqinjëve të Sudanit të shkatërruar nga konflikti

admin

Rusia dhe Ukraina sulme ndaj njëra-tjetrës, lëshohen qindra dronë

RTI

Ndotja e ajrit, Shkupi në nivel me qytetet milionëshe në Indi e Pakistan

admin