Mes një rënie rekord të lindjeve në vitin 2022, Japonia është ballafaquar me rritje të numrit të burrave dhe grave që kryejnë vetëvrasje në të njëjtin vit, gjë që zyrtarët besojnë se është për shkak të pasojave të pandemisë së COVID-19, transmeton Anadolu.
Të dhënat e qeverisë të publikuara të martën tregojnë se numri i grave që kanë kryer vetëvrasje ka arritur në 7.135 në vitin 2022, 67 më shumë se një vit më parë.
“Në përgjithësi, numri i personave që marrin jetën e tyre në Japoni u rrit me 874 në 21.881, ku vetëvrasjet tek meshkujt panë rritjen e parë në 13 vjet, në 14.746 raste (në 2022), 807 më shumë se një vit më parë”, sipas të dhënave të qeverisë.
“Numri i vetëvrasjeve për 100 mijë njerëz u rrit në 17.5, 0.8 më shumë nga viti 2021”, thuhet më tej. Trendi shqetësues u konstatua edhe tek djemtë dhe vajzat që ndjekin shkollat fillore dhe të mesme.
“Rritja e numrave mund t’i atribuohet ndikimit të vazhdueshëm të pandemisë së koronavirusit, e cila filloi në vitin 2020”, tha një zyrtar i ministrisë nga Zyra për parandalimin e vetëvrasjeve për “Kyodo News” me bazë në Tokio.
“Jemi duke monitoruar nga afër situatën dhe do të thellojmë analizën tonë, përfshirë ndikimin e koronavirusit”, shtoi zyrtari. Rritja e vetëvrasjeve midis japonezëve vjen në një kohë kur vitin e kaluar vendi regjistroi rënien më të madhe të lindjeve.
Numri i foshnjave të porsalindura ra nën 800 mijë për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1899, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë muajin e kaluar.
Po ashtu ky ishte viti i shtatë radhazi që shënon rënie të numrit të foshnjave të lindura në vend.
Në janar, kryeministri japonez Fumio Kishida tha se qeveria e tij do t’i japë përparësi politikave që synojnë lehtësimin e rritjes së fëmijëve, që është “investimi më efektiv për të ardhmen”.
Kishida paralajmëroi se vendi me rreth 126 milionë banorë, i cili po përballet me një plakje të popullsisë, ishte “në prag të humbjes së funksionit të tij social për shkak të rënies së shpejtë të lindjeve”.
Duke u zotuar se do të ndryshojë normën në rënie të lindjeve në vend, kryeministri tha se qeveria e tij do të punojë për të “krijuar një ekonomi dhe shoqëri-fëmijët në radhë të parë” përmes Agjencisë për Fëmijët dhe Familjet, një organ i ri qeveritar që pritet të lançohet në prill.
Ndërkohë, qeveria japoneze miratoi të martën një projekt-ligj për “njohjen e shkeljes seksuale edhe në mungesë të dhunës fizike apo detyrimit dhe rritjen e moshës së pëlqimit seksual nga 13 në 16 vjet”.