Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, ka deklaruar se Japonia do të përshpejtojë integrimin e inteligjencës artificiale dhe sistemeve pa pilot në kapacitetet e saj mbrojtëse, ndërsa Tokio përgatitet të rishikojë dokumentet kryesore të sigurisë kombëtare deri në fund të vitit, transmeton Anadolu.
Duke iu drejtuar zyrtarëve të lartë të Forcave të Vetëmbrojtjes, sipas agjencisë së lajmeve Kyod, Takaichi tha se dokumentet e rishikuara “do të përcaktojnë një drejtim të ri për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse”.
Strategjia aktuale e Sigurisë Kombëtare e Japonisë dhe dy dokumente të tjera kryesore të mbrojtjes u miratuan në vitin 2022 me një afat 10-vjeçar.
Megjithatë, Takaichi ka vendosur ta përshpejtojë rishikimin e tyre, ndërsa Japonia përballet me sfida të sigurisë që lidhen me Kinën dhe Korenë e Veriut.
Ajo tha se rishikimet do të përcaktojnë qasjen e Japonisë për forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse në përgjigje të ndryshimit të mjedisit të sigurisë dhe përdorimit gjithnjë e më të madh ushtarak të inteligjencës artificiale dhe sistemeve pa pilot.
Ky hap vjen disa ditë pasi Ministria e Mbrojtjes paraqiti një kërkesë buxhetore rekord prej 8,89 trilionë jenësh (55 miliardë dollarë) për vitin fiskal 2027, i cili fillon në prill. Propozimi përfshin plane për dronë sulmues me kosto të ulët dhe integrimin e inteligjencës artificiale në strukturën komanduese të Forcave të Vetëmbrojtjes.
SHBA-ja, aleatja e Japonisë me të cilën ka një traktat, po u bën gjithashtu presion aleatëve që të rrisin shpenzimet ushtarake, ndërsa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje aleatëve të synojnë shpenzime për mbrojtjen në nivelin 3,5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB).
Takaichi theksoi rëndësinë e mbështetjes së publikut për forcimin e mbrojtjes së Japonisë.
Kryeministrja japoneze tha se aktivitetet e Forcave të Vetëmbrojtjes dhe “forcimi thelbësor i kapaciteteve mbrojtëse që qeveria po çon aktualisht përpara nuk mund të realizohen pa mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e publikut”.
Gjatë rishikimit të mëparshëm të dokumenteve të saj të sigurisë, Japonia vendosi të sigurojë kapacitete për kundërsulme dhe caktoi si objektiv shpenzime për mbrojtjen në nivelin e barasvlershëm me 2 për qind të PBB-së, duke shënuar një ndryshim nga qëndrimi i saj tradicionalisht i orientuar drejt mbrojtjes, në kuadër të Kushtetutës së vendit që heq dorë nga lufta.

