Rama, kryeministër i Shqipërisë apo i Izraelit të ri në Shqipëri?
Veç Muzeut Hebraik në Vlorë, një tjetër i këtij lloji është në plan për t’u ndërtuar dhe në Tiranë, duke provuar kështu një invazion shumëplanësh izraelit në Shqipëri, ku Edi Rama ngjan se është jo thjesht një vasal apo peng i tyre, por një nga ata i kamufluar deri më sot, ku si mision kryesor ka themelimin e një Izraeli të ri në Ballkan, këtu në Shqipëri, pas përzënies në shumë forma të shqiptarëve.
Eshtë AADF-ja, ky Fondacion Shqiptar-Amerikan që ka marrë përsipër realizimin dhe administrimin e këtij muzeu, duke shkruar: 
“Për AADF, Muzeu Hebraik Shqiptar është një investim kuptimplotë, i lidhur thellësisht me vendin, njerëzit dhe kujtesën tonë të përbashkët.
Ai do të rrëfejë historinë e bashkëjetesës, mbrojtjes dhe lidhjes së veçantë mes shqiptarëve dhe hebrenjve, duke i shërbyer jo vetëm kujtesës dhe historisë, por edhe angazhimit tonë për të mbështetur kulturën, edukimin dhe prezantimin dinjitoz të vlerave historike të Shqipërisë.
Por ky muze nuk do të jetë vetëm një hapësirë kujtese. Ai do të jetë një organizëm i gjallë, që jeton përmes njerëzve, përmes hapësirave të hapura për ndërveprim, edukim, biseda, programe publike dhe përvoja që e bëjnë historinë të prekshme për të sotmen.
Sepse muzetë nuk janë thjesht përgjigje. Ata janë pyetje që i hapin rrugë të kuptuarit, të mësuarit dhe dialogut me kohën dhe me veten”.
Por analisti Adri Nurrellari shprehë kritika të forta ndaj kësaj inisiative.
“Gjithmonë më ka revoltuar fakti që nuk kemi një muze e institut të posaçëm apo që në Muzeun Historik Kombëtar nuk ka një pavijon enkas për përndjekjen, masakrat, spastrimin etnik, shpërnguljet, konvertimin, asimilimin dhe qëndresën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, as për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit apo tragjedinë e Çamërisë. Këto nuk janë shënime në fund të faqes të librit të historisē së popullit tonë, por kapituj më të përgjakshëm të historisë sonë kombëtare.
Ndërkohë, Shqipëria është duke ngritur dy muze kushtuar historisë së hebrenjve në Tiranë e Vlorë. që me gjithë respektin për ta, ky komunitet ka qenë periferik në historinë tonë kombëtare.
Kjo nuk ka të bëjë aspak me hebrenjtë apo me respektin që meriton historia e tyre e dhimbshme. Përkundrazi, një shoqëri liberale duhet të ruajë kujtimin e çdo komuniteti të përndjekur dhe të çdo viktime, pavarësisht kombësisë, fesë apo përkatësisë së saj. Problemi fillon kur kujtesa historike kthehet në instrument diplomatik dhe kur zelli kësaj qeverie për t’i bërë qejfin Izraelit bëhet më i madh se përgjegjësia për të dokumentuar historinë e popullit tonë.
Pra po shohim një gatishmëri të çuditshme për të ngritur dy muze për t’i bërë qejfin një shteti të huaj, ndërsa tragjeditë e popullit tënd vazhdojnë të presin radhën për të hyrë në muze.
Madje, kam frikë se kjo lajkatosje e papërmbajtur, mund të prodhojë efektin e kundërt bumerang dhe mund të ushqejë një valë të rrezikshme antisemitizmi.
E gjitha kjo ështe nje hierarki e çuditshme e disproporcionale e kujteses historike kjo e kësaj qeverie.
Mirë që kujtojmë dhe nderojmë historinë e tyre, por është absurde që një shtet të kujdeset më shumë për institucionalizimin e kujtesës së të tjerëve sesa të vetën”, shkruan ndër të tjera ai.
Po ashtu, kritikë ka shfaqur dhe studiuesi Enis Sulstarova, ku sipas tij mjafton Muzeu i Beratit për historinë e hebrenjve në Shqipëri.
“Muzeu hebraik në Vlorë është i sforcuar dhe nuk arsyetohet dot në raport me pakicat e tjera në Shqipëri, me peshën që secila prej tyre ka në historinë dhe kulturën e Shqipërisë, përfshirë qytetin e Vlorës. Ka mënyra të tjera simbolike për ta kujtuar apo nxjerrë nga harresa praninë e dikurshme të çifutëve në këtë qytet, ku, me sa di, ka pasur dhe armenë. Nuk ka pse të imitojmë qytete të tjera të Evropës, që kanë pasur prani më domethënëse dhe gjurmëlënëse të komuniteteve çifute.
Kam frikë se me injorancën e përgjithshme të turistit mesatar që gjesdis botën sot, vendosja e një muzeu hebraik në hartën e qytetit do të krijojë idenë se dhe ne kemi pasur çifutët tanë, por që janë asgjësuar gjatë LDB, sikurse ka ndodhur në shumë qytete evropiane që kanë muze të tillë dhe që i kanë hapur bash për këtë arsye. Sigurisht që muzeu në Vlorë do të tregojë të kundërtën, historitë e shpëtimit të shumë çifutëve vendas dhe të atyre që fati i solli në Shqipëri gjatë luftës, por për këtë ka tashmë një muze në Berat, i cili mund të bëhet epiqendra e rrëfimit të historisë së shpëtimit. Cilido vendas apo i huaj mund ta vizitojë dhe ia vlen që turisti plazhist në Vlorë ta vizitojë Beratin dhe për këtë arsye”, shkruan ai. /tesheshi

