Paragjykimet na pengojnë të shohim vlerat e padiskutueshme të disa zakoneve
Ajo që për vite të tëra është parë me dyshim, paragjykim apo madje armiqësi nga disa qarqe perëndimore – mbulimi i trupit, i lidhur shpesh me traditën islame – po rimendohet në një kontekst tërësisht tjetër: atë të shëndetit dhe mbrojtjes nga dielli.
Ironia e kohës është se pikërisht një praktikë e stigmatizuar si “e huaj” apo “shtypëse” po vlerësohet tani për dobitë e saj praktike, duke treguar se si paragjykimet mund të pengojnë të shohim vlerat e padiskutueshme të disa zakoneve.
Kjo ndryshim perceptimi, vjen në një moment kur rrezet ultraviolet bëhen gjithnjë e më të rrezikshme dhe kur moda dhe shkenca po bashkëpunojnë për të ofruar zgjidhje që dikur konsideroheshin “të çuditshme” në Perëndim.
Në javët e fundit, në rrjetet sociale u përhapën fotografitë e aktores Anne Hathaway gjatë pushimeve në Itali dhe në jug të Francës. Ajo u shfaq në një varkë me veshje plazhi të pazakonta: jo bikini, tankini apo kostume banje tradicionale, por veshje që mbulonin pothuajse të gjithë trupin, duke lënë të pambuluara vetëm duart, këmbët, qafën dhe fytyrën.
Këto të fundit mbroheshin edhe me një kapele me strehë të gjerë. Fotografitë nuk janë të gjitha të këtij viti, por veshjet e Hathaway tërhoqën vëmendje edhe për një arsye tjetër: ato janë pjesë e një tendence që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet, atë të veshjeve me mbrojtje nga rrezet ultraviolet.
Kostumet shumëngjyrëshe të aktores, të prodhuara nga marka Tutublue, kanë një faktor mbrojtës UPF 50+. UPF do të thotë “Ultraviolet Protection Factor” dhe tregon se sa mirë një material bllokon rrezatimin ultraviolet.
Një veshje me UPF 50 lejon të depërtojë vetëm rreth 2 për qind e rrezatimit UV që bie mbi të. Koncepti është i ngjashëm me SPF-në e kremrave kundër diellit, por matja bëhet ndryshe.
UPF vlerëson sasinë e rrezatimit që kalon përmes pëlhurës, ndërsa SPF lidhet kryesisht me kohën që i duhet lëkurës së mbrojtur për t’u skuqur krahasuar me lëkurën e pambrojtur.
Në fakt, jo çdo veshje mbrojtëse duhet të ketë domosdoshmërisht etiketën UPF. Edhe rrobat e zakonshme mund të ofrojnë një nivel të konsiderueshëm mbrojtjeje, në varësi të materialit, dendësisë së pëlhurës dhe ngjyrës.
Megjithatë, kompanitë që prodhojnë veshje të posaçme përdorin materiale dhe teknologji të dizajnuara për të garantuar nivele më të larta mbrojtjeje.
Avantazhi kryesor është prakticiteti. Ndryshe nga kremi, i cili duhet të riaplikohet pas kontaktit me ujin ose çdo disa orë, një veshje UPF mund të mbahet gjatë gjithë kohës.
Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për fëmijët që kalojnë shumë kohë në diell, për njerëzit që punojnë ose qëndrojnë gjatë jashtë, apo për ata që nuk e pëlqejnë ndjesinë e kremit në lëkurë.
Megjithatë, veshjet nuk e zëvendësojnë plotësisht kremin. Zonat që mbeten të ekspozuara, si fytyra, qafa dhe duart, duhet të mbrohen me krem kundër diellit. Kërkimet për një standard të mbrojtjes së pëlhurave nga dielli nisën në Australi që në vitet 1970, ndërsa standardi i parë UPF u publikua në vitin 1996.
Sot ekzistojnë disa sisteme certifikimi, por jo një standard universal. Sipas ekspertes së Altroconsumo, Livia Biardi, një nga standardet më të besueshme është UV 801, i cili teston veshjet edhe kur janë të lagura dhe pasi i nënshtrohen kushteve që simulojnë përdorimin real.
Fondacioni amerikan për Kancerin e Lëkurës rekomandon që veshjet të kenë të paktën UPF 50 për të konsideruar mbrojtjen e tyre veçanërisht efektive. Veshjet me këtë teknologji përdoren tashmë gjerësisht në aktivitete si surfimi, çiklizmi, peshkimi dhe hiking-u.
Ato po ofrohen edhe nga marka të mëdha sportive, duke treguar se mbrojtja nga dielli nuk po shihet më vetëm si një çështje kremrash, por edhe si një pjesë e rëndësishme e mënyrës se si vishemi. tesheshi

