Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve për hyrje-daljet në kufi.
Deputeti shqiptar nënvizon se marrëveshjet si këto janë të mirëseardhura edhe për qytetarët e Luginës së Preshevës.
“Përshëndes marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e BE-së e përfshirjen e drejtpërdrejt të SHBA-ve. Lëvizja e lirë, sidomos e qytetarëve të Republikës së Kosovës, po merr kuptim. Marrëveshjet si këto janë të mirëseardhura edhe për qytetarët e Luginës së Preshevës”, është shprehur Kamberi.
Këtë të shtunë, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.
Lajmi është dhënë nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një postim në Twitter. Tashmë qytetarët e dy vendeve mund të udhëtojnë lirshëm duke përdorur dokumentet e tyre. /euronews