Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka shprehur “optimizëm të kujdesshëm” pas raportimeve se qeveria e Jemenit, e njohur ndërkombëtarisht, ka marrë nën kontroll territore të rëndësishme rreth Ngushticës Bab al-Mandab, një pikë strategjike në hyrje të Detit të Kuq, transmeton Anadolu.
“Nëse sot ka raportime të tilla, kjo ndoshta është një arsye për optimizëm të kujdesshëm, por nuk është asgjë më shumë se kaq”, u tha Merz gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin lituanez, Mindaugas Sinkevicius.
Deklaratat vijnë në një kohë kur rritja e madhe e çmimeve të benzinës, e nxitur nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, po shton presionin e brendshëm ndaj Berlinit.
Merz theksoi se Berlini po angazhohet në çdo nivel për të ndihmuar në uljen e tensioneve rajonale dhe rihapjen e rrugëve jetike globale të transportit detar.
“E dini se po bëjmë çdo përpjekje, në çdo nivel të mundshëm, për të dhënë kontributin tonë në përfundimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Mbi të gjitha, Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet përgjithmonë dhe pa u vendosur tarifa atje. Por është e qartë se ende jemi larg një zgjidhjeje për këtë problem”, tha ai.
Kancelari gjerman tha se e kishte ngritur sërish këtë çështje të premten gjatë një videokonference të G7-tës me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
“Ne po bëjmë gjithçka nga ana evropiane dhe po bëjmë gjithçka nga qeveria gjermane, ministri i Jashtëm, ministri i Mbrojtjes, për t’i dhënë fund këtij konflikti sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Sot, qeveria e Jemenit e njohur ndërkombëtarisht tha se forcat e saj, pasi nisën një ofensivë të madhe kundër milicisë Huthi të mbështetur nga Irani, kanë marrë nën kontroll terren me rëndësi strategjike përgjatë Bab al-Mandabit. Zyrtarët ushtarakë thanë gjithashtu se kanë nisur një ofensivë në drejtim të kryeqytetit Sana.

