Tre persona kanë humbur jetën të martën në Kosovë, sipas rasteve të raportuara nga Policia e Kosovës. Dy prej viktimave vdiqën si pasojë e aksidenteve në trafik, ndërsa një rast tjetër është duke u hetuar si “hetim i vdekjes”, pasi një person u gjet pa shenja jete në Viti.
Një 24-vjeçare humbi jetën në orët e para të mëngjesit në fshatin Komoran të Drenasit, pasi vetura me targa vendore në të cilën ndodhej u përfshi në një aksident trafiku. Nga aksidenti mbetën të lënduar edhe tre persona të tjerë – një burrë dhe dy gra. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Një aksident tjetër me pasojë vdekjen ndodhi rreth orës 10:00 në rrugën “Besim Ndreca” në Suharekë. Sipas policisë, drejtuesi i një veture humbi kontrollin mbi automjetin dhe u përplas me një objekt. Si pasojë e lëndimeve të marra, ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Edhe në këtë rast, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ndërkohë, në Viti, rreth orës 16:30, një burrë është gjetur pa shenja jete. Vdekja e tij u konstatua nga mjeku kujdestar, ndërsa rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”. Me vendim të prokurorit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes janë në vazhdim./

