Katër palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë, në një seri sulmesh ajrore izraelite në Rripin e Gazës të enjten, në shkeljet më të fundit të armëpushimit, thanë burime mjekësore, transmeton Anadolu.
Burimet thanë se dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm me dron që shënjestroi një grumbull civilësh në qytetin Jabalia në veri të Gazës.
Një i ri u vra gjithashtu nga një snajper izraelit pranë një klinike të OKB-së në kampin e refugjatëve Jabalia, shtuan burimet.
Sipas dëshmitarëve, një dron izraelit hodhi një bombë mbi një grup njerëzish që po përpiqeshin të merrnin trupin e viktimës, para se ai të transferohej përfundimisht në Spitalin Al-Shifa në perëndim të Qytetit të Gazës.
Burimet thanë se edhe një 25-vjeçar u vra në një sulm me dron në Jabalia.
Ndërkohë, një palestinez u plagos nga të shtënat izraelite në zonën Al-Salatin në Beit Lahia, në veri të Gazës, thanë burimet.
Në jug të Gazës, një burim mjekësor tha se tre fëmijë u dërguan në Kompleksin Mjekësor Nasser, në perëndim të Khan Younisit, pas një sulmi izraelit pranë rrethrrotullimit Bani Suheila, në lindje të qytetit.
Burimi shtoi se njëri nga tre fëmijët është në gjendje kritike.
Dëshmitarët thanë se tre fëmijët u plagosën derisa po mblidhnin dru zjarri.
Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 72.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 172.000 të tjerë në luftën dyvjeçare në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.
Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet, duke vrarë të paktën 856 persona dhe duke plagosur 2.463 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

