RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kequshqyerja dhe sëmundjet po rrisin numrin e varreve në kampet sudaneze

kequshqyerja-dhe-semundjet-po-rrisin-numrin-e-varreve-ne-kampet-sudaneze

Reutersi i ka identifikuar 14 varreza që janë duke u zgjeruar shpejt në rajonin e Sudanit, Darfur, i cili është shkatërruar nga lufta që po zhvillohet në vend, mes ushtrisë sudaneze dhe milicive. Ndërsa luftëtarët bllokojnë ushqimin dhe ndihmat mjekësore, uria dhe sëmundjet e ndryshme si fruthi, malaria dhe kolera janë duke i prekur njerëzit. E varrezat nëpër kampe janë rritur tri herë më shpejt në pjesën e parë të 2024-s sesa në pjesën e dytë të vitit të kaluar

Udhëheqësit e komunitetit janë duke mbajtur lista të shkruara të emrave të të vdekurve në kampin e të zhvendosurve “Kalma” në rajonin Darfur. Listat janë duke u bërë më të gjata dhe nuk shkon dita pa e shkruar edhe emrin e ndonjë fëmije, thotë njëri nga udhëheqësit.

Në një periudhë dyjavore në maj, 28 fëmijë janë shënuar në listë. Shkaku i vdekjes: kequshqyerja dhe sëmundjet, thonë liderët e komunitetit.

Njëra prej tyre ka qenë Moshtaha, një foshnjë shtatë muajshe. Ajo ka pasur problem me diarre dhe vjellje, çka kanë çuar në kequshqyerje. Familja e saj nuk ka pasur para për t’i blerë ilaçe. Dhe ushqim kishte pak: Ata kanë qenë duke mbijetuar me një vakt në ditë – një pjatë me qull, Aseeda.

Rreth mesnatës së 14 majit, Mariam Adam, nëna e Moshtahas, ka thënë se e ka vendosur dorën në zemrën e vajzës së saj, por nuk ka ndjerë puls. Pastaj ia ka vendosur dorën mbi gojë. Asgjë.

“Ajo nuk merrte frymë”, ka thënë Adam, 22-vjeçare. “Zemra e saj pushoi së rrahuri”.

Nuk ka vetëm fëmijë që po vdesin në “Kalma”. Në prill, halla e Adam ka vdekur nga komplikime shëndetësore që kanë kërkuar operacion. Moshtaha dhe halla janë varrosur në të njëjtën varrezë në cep të kampit.

Si kjo zonë varreze, shumë të tjera rreth kampit “Kalma” janë duke u rritur me shpejtësi muajve të fundit. Një varrezë në cepin jugor të “Kalmas” është zgjeruar 2.5 herë më shpejtë në gjysmën e parë të vitit 2024, sesa në gjysmën e dytë të 2023-s.

Rritja e numrit të varreve

Varrezat janë duke u zgjeruar gjithandej nëpër rajonin e Darfurit, i cili është shkatërruar nga lufta mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF), që ka prekur tërë vendin. Në kampin “ZamZam” për të zhvendosurit, tani shtëpi e mijërave njerëzve, një varrezë në pjesën jugore të objektit është zgjeruar rreth tri herë më shpejt në pjesën e parë të vitit 2024.

Reutersi ka identifikuar rreth 14 vende të varrimit në pesë komunitetet përgjatë Dafurit, që janë zgjeruar me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Zona e varreve të reja të këtyre varrezave është rritur tri herë më shpejt në pjesën e parë të 2024-s, sesa në pjesën e dytë të vitit të kaluar. Kjo rritje, për më tepër, ka ardhur pasi rajoni ka parë javë të tëra të dhunës në gjashtë muajt e fundit të 2023-s, çka ka rezultuar në shumë vdekje.

Këto varreza janë “paralajmërimi fillestar për rrezik”, ka thënë Timmo Gaasbeek, autor i raportit për Institutin Clingendael, që paralajmëron për rritje të numrit të vdekjeve të shkaktuara nga uria në Sudan. “Sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më i madh do të jetë problemi”.

Si Mariam Adam, nënat e këtyre komuniteteve kanë përshkruar se si kanë vdekur fëmijët e tyre, për shkak se ato nuk kanë arritur t’i ushqejnë, nuk kanë pasur qasje në kujdes shëndetësor dhe nuk kanë pasur para për të blerë ilaçe. Më shumë se 30 liderë të komuniteteve, mjekë dhe zyrtarë shëndetësorë kanë folur për rritjen e numrin të njerëzve që po vdesin nga kequshqyerja dhe sëmundjet.

Rreth tri të katërtat e një milion banorëve të Sudanit mund të përballen me mungesa katastrofike të ushqimit deri në shtator, sipas një projeksioni paraprak nga mbikëqyrësi kryesor në botë për urinë. Totali i nëntë milionë njerëzve – gati 20 për qind e popullsisë – janë në situatë të rëndë sa i përket ushqimit ose më keq, thotë projeksioni.

Analizat e reja janë bërë nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC), iniciativë e agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), trupave rajonalë dhe grupeve të ndihmave. Projeksioni i fundit i IPC-së ka qenë në dhjetor dhe agjencia akoma nuk ka publikuar asgjë. Në mars, IPC-ja ka thënë se kërcënimet e sigurisë, bllokimet e rrugëve dhe çrregullimet e telekomunikimeve në Sudan janë duke e ngadalësuar punën e saj.

Për ta pasur më të qartë emergjencën ushqimore të Sudanit, Reutersi i ka përdorur teknikat e ngjashme me ato të monitoruesve të shëndetit dhe urisë në zona të konfliktit ose fatkeqësive. Në manualin e vitit 2021, IPC-ja i ka renditur hapat që mund ta vlerësojnë shkallën e vdekshmërisë në zonat “pa qasje ose qasje të limituar humanitare”. Ka përfshirë “intervistat me informues kryesor” dhe “numërimin e varreve”.

Kriza e urisë në Sudan është shkaktuar nga njeriu. Lufta mes ushtrisë sudaneze dhe RSF-së ka nisur në prill të vitit të kaluar, duke zhvendosur më shumë se nëntë milionë njerëz – gati një të pestën e popullsisë. Lufta e ka ndaluar arritjen e ndihmave humanitare në pjesë të mëdha të Sudanit. RSF-ja dhe milicitë aleate kanë grabitur magazinat e ndihmave, të korrat e mbledhura dhe pajisjet e agrikulturës nga fermerët, duke i detyruar të largohen nga toka e tyre.

Prodhimi i drithërave në Darfur dhe Kordofan, rajon i prekur shumë nga lufta, është vlerësuar të jetë rreth 80 për qind nën mesatare në vitin 2023, sipas një raporti nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrikulturë. Në pamundësi të gjetjes së ushqimit ose blerjes së tij – çmimet janë rritur shumë – njerëzit kanë filluar t’i anashkalojnë vaktet, hanë gjethe të pemëve dhe madje edhe lloç.

Tom Perriello, i dërguari special i SHBA-së në Sudan, këtë muaj ka thënë se RSF-ja dhe ushtria janë fajtorët për krizën ushqimore. Ndërsa RSF-ja ka djegur të korrat dhe ka grabitur magazina ushqimi, ushtria sudaneze është “duke luajtur me qasjen kufitare, pikat kalimtare dhe duke i lënë njerëzit e tyre të vdesin”, ka thënë ai.

Qeveria e udhëhequr nga ushtria ka thënë së është e përkushtuar në lehtësimin e shpërndarjes së ndihmave dhe e akuzon RSF-në për grabitje dhe bllokim të ndihmave. RSF-ja e ka mohuar grabitjen, duke thënë se do të mbahen përgjegjës kryerësit e kësaj vepre. Ajo ka fajësuar ushtrinë për pengimin e dërgesave të ndihmave.

“Ne jemi të bllokuar këtu dhe do të vdesin nga uria”

Lufta gjithashtu ka shkatërruar sistemin shëndetësor veçse të dobët para fillimit të luftimeve. Rreth dy të tretat e sudanezëve nuk kanë qasje në kujdes shëndetësor dhe rreth 70 deri 80 për qind e objekteve shëndetësore nuk kanë qenë duke funksionuar në shkurt, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Të dëshpëruar për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të sëmurë, prindërit janë duke u mbështetur në metodat tradicionale, sipas mjekëve dhe liderëve të komunitetit. Disa prindër, sipas tyre, kanë përdorur kërcejtë e bimëve për t’i lidhur duart e fëmijëve të tyre, duke besuar se kjo do ta ndalë kequshqyerjen. Të tjerët kanë zier lloje të farave dhe i kanë hedhur në të pasmet e fëmijëve, duke shpresuar se kjo do t’ua shërojë diarrenë.

Në një krizë si ajo e Sudanit, ku dëmtimi i zinxhirit të furnizimit me ushqim si dhe sistemit shëndetësor, kequshqyerja dhe sëmundjet barten dorë pas dore, thonë ekspertët e sigurisë së ushqimit dhe nutricionistët. Kërcënimi është “përzierje vdekjeprurëse” e kequshqyerjes, fruthit, malaries, kolerës dhe sëmundjeve të tjera, ka thënë Liesbeth Aelbrecht, specialiste për sigurinë ushqimore dhe shëndetin në Organizatën Botërore të Shëndetit.

Kamp i refugjatëve në Sudan, Foto: AP

“Kequshqyerja dhe sëmundja e përforcojnë njëra-tjetrën, me fëmijët e sëmurë që po shndërrohen lehtë në të kequshqyer dhe fëmijët e kequshqyer që sëmuren më lehtë”, thuhet në një deklaratë të OKB-së. “Sudani rrezikon të humbasë një gjeneratë”.

Situata do të bëhet më e rëndë. Sudani ka hyrë në sezonin e dobët të të korrave, i cili vazhdon deri në shtator. Është periudhë kur ushqimi është më pak i disponueshëm. Sezoni i shiut veç se është duke filluar, çka do t’i bëjë të pakalueshme rrugët e dheut përgjatë Dafurit, që i lidh komunitetet me qendrat urbane. Kjo do ta bëjë më të vështirë që njerëzit të marrin ndihma, në një kohë kur kanë shumë nevojë.

Rritja e zonave me varreza të reja mund të jetë për shkak të vdekshmërisë së shkaktuar nga fluksi i madh i njerëzve të zhvendosur nëpër kampe nga dhuna.

Në qytetin Nertiti në qendër të Dafurit nuk po hyjnë furnizime dhe RSF-ja i ka shkatërruar të korrat, ka thënë një punonjës lokal humanitar. Sipas tij, fëmijët janë duke vdekur nga mungesa e ushqimit. Njerëzit janë duke ngrënë gjethe të pemëve, po gërmojnë fole të milingonave për të kërkuar për thërrmija buke dhe ushqime të tjera në to, ka shtuar ai.

“Uria veçse ka ardhur”, ka thënë ai.

RSF-ja dhe milicitë aleate kanë qenë duke i grabitur tregtarët, duke i bërë rrugët të pasigurta, ka thënë punonjësi humanitar. Sipas tij, nuk është askush për t’i mbrojtur as agjencitë ndërkombëtare të ndihmave nëse ata duan të rikthehen. Qyteti është rritur në madhësi, me ardhjen e më shumë se 33 mijë njerëzve të zhvendosur nga dhuna, sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Migrim.

Pamjet satelitore të realizuara në mars dhe qershor tregojnë një rresht të ri të varreve të reja në cepin jugor të Nertitit. Mes 12 nëntorit dhe 6 qershorit, zona e varreve të reja është rritur 13 për qind më shpejt sesa muajt paraprak.

Në “Kalma” banorët janë shumë të frikësuar të largohen nga kampi për të kërkuar punë, sepse nuk është askush për t’i mbrojtur nga RSF-ja dhe milicitë aleate, ka thënë një lider i komunitetit, në mënyrë anonime. Burrat kanë frikë nga burgosja ose vrasja, ndërsa gratë nga përdhunimi, ka thënë ai.

Lideri i komunitetit ka ndarë foto të një burri, i cili ishte qëlluar në kokë nga burra të armatosur më 29 maj, teksa ishte përpjekur të largohej nga kampi për të gjetur punë. Ai ishte vrarë në rrugën kryesore që lidh “Kalman” dhe Nyalan, kryeqyteti i Darfurit Jugor, ka thënë lideri i komunitetit.

“Ne jemi të bllokuar këtu dhe do të vdesim nga uria”, ka thënë ai.

E njëjta gjë po ndodh edhe në qytetin Kas në shtetin e Darfurit Jugor. Njerëzit e distriktit Kas, që përfshin qytetin dhe fshatrat përreth, janë duke vdekur nga sëmundjet dhe kequshqyerja, ka thënë Mohammed Ali Osman, nutricist në Ministrinë e Shëndetësisë atje. Vetëm një pjesë e të sëmurëve arrijnë në spital, sepse rrugët janë të pasigurta dhe fshatra të tëra janë të izoluara, ka thënë ai.

“Nuk ia kemi idenë se çfarë po ndodh në këto fshatra”, ka thënë ai.

Në Kas, varrezat janë duke u zgjeruar gjithashtu. Një varrezë në cepin juglindor të qytetit është rritur 49 për qind më shpejt mes 4 janarit dhe 1 qershorit, sesa në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Tashmë ka indikacione se varrezat po zgjerohen edhe më shpejt.

Mes 28 marsit dhe 3 majit, një varrezë e madhe në kampin “ZamZam” në Darfurin Verior është rritur 50 për qind më shpejt sesa tre muajt paraprak. Në pril, një lider i komunitetit në kamp ka thënë se shumë njerëz janë duke mbijetuar me një vakt në ditë. Një ekzaminim masiv i kryer nga Mjekët pa Kufij në mars dhe prill, duke përfshirë më shumë se 46 mijë fëmijë nën moshën 5-vjeçare, ka zbuluar se gati një e treta e fëmijëve ishin të kequshqyer në mënyrë akute.

Në kampin “Hamidiya” në Darfurin Qendror, vendvarrimet janë duke treguar shkallë të lartë të rritjes gjatë muajve të fundit. Pamjet satelitore tregojnë dhjetëra varre të reja që janë shfaqur në një vend mes 30 marsit dhe 4 qershorit. Shkalla e zgjerimit të vendvarrimeve ka qenë 53 për qind më e lartë sesa tre muajt paraprak, sipas pamjeve.

Seif Eddinn Abdullah, lider i komunitetit në Hamidiya, ka ndarë një video të varrezave në kamp. Në një segment, një grup me njerëz shihen duke e varrosur një burrë 40-vjeçar, i cili, sipas Abdullahut, ka qenë duke luftuar me diabetin.

Abdullahu ka thënë se ndihmat humanitare nuk janë duke e arritur kampin. Ndihma është kritike për “t’i ndihmuar fëmijët që janë duke vdekur çdo ditë”, ka thënë ai.

Latra Gashi/KTV

Related posts

Ndikimi i Kinës në Amerikën Latine, po nxjerr anët e errëta! Si Pekini po ushtron “presion”

admin

SHBA, përpjekje pa sukses për të mënjanuar mbylljen e pjesshme të qeverisë

rezart morina

Dhjetë qytete të përfshira nga tërmetet në Turqi, 10 milion njerëz të prekur

rezart morina