Qindra ish-zyrtarë izraelitë të sigurisë i kanë kërkuar Presidentit Donald Trump që t’i bëjë presion kryeministrit izrealit, Benjamin Netanyahu, për të frenuar “terrorin e kolonëve” në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Apeli erdhi në një letër të iniciuar nga Komandantët për Sigurinë e Izraelit, një grup prej rreth 600 zyrtarësh në pension nga ushtria izraelite, agjencia e sigurisë së brendshme Shin Bet, shërbimi i inteligjencës Mossad, policia dhe trupi diplomatik.
Letra, e nënshkruar në emër të grupit nga ish-zëvendës shefi i stafit izraelit, Matan Vilnai, u dërgua të hënën përpara takimit të planifikuar të Netanyahut me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë të martën, sipas një kopje të shqyrtuar nga Anadolu.
“Nëse dhuna në rritje në Bregun Perëndimor nuk ndalet shpejt dhe me vendosmëri, ajo mund të ndezë një krizë rajonale me pasoja të rënda për sigurinë e Izraelit dhe interesat e SHBA-së në rajon. Ju keni aftësinë për të parandaluar këtë fatkeqësi. Prandaj, ne shpresojmë që ju do të përdorni takimin tuaj të ardhshëm me kryeministrin tonë për të dhënë një mesazh të fortë dhe të qartë për këtë çështje”, thuhet në letër.
Nënshkruesit thanë se struktura e sigurisë së Izraelit po përballej me Hamasin dhe grupet e tjera palestineze në Bregun Perëndimor, por u përball me “kufizime të gjera” në adresimin e asaj që ata e quajtën “terrori i kolonëve hebrenj”.
“Nuk është sekret që anëtarët e qeverisë sonë janë përgjegjës për pjesën më të madhe të këtij kaosi, pjesërisht duke u dhënë (pushtuesve) imunitet nga ligji,” thuhej në letër.
Bregu Perëndimor i pushtuar ka parë një rritje të sulmeve nga pushtuesit izraelitë kundër palestinezëve dhe pronës së tyre në javët e fundit.
Rreth 750.000 pushtues izraelitë jetojnë në 156 vendbanime dhe 360 qendra vendbanimesh në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Kudsin Lindor.

