RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kërkohet lirimi 2-javor i Jakup Krasniqit

kerkohet-lirimi-2-javor-i-jakup-krasniqit

Mbrojtja e ka kërkuar lirimin e Jakup Krasniqit nga Specialja për vetëm dy javë. Kërkesa është bërë para një muaji dhe vendim nga Trupi gjykues ende nuk ka. Avokatë të licencuar pranë Speciales thonë se kërkesa ka bazë ligjore dhe se vendimi i gjykatës duhet të ketë parasysh parimin e humanitetit.

Jakup Krasniqi dhe mbrojtja e tij ka një muaj që po presin përgjigje nga Trupi Gjykues pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, nëse do të pranohet kërkesa për lirim të përkohshëm.

Mbrojtja ka kërkuar lirimin e Krasniqit për një periudhë dy javore, duke thënë se ai nuk paraqet rrezik që të ndërhyjë apo të rrezikojë dëshmitarët.

Nga Zyra për media e Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk e kanë komentuar kërkesën, por kanë thënë se sapo të merret vendimi do të bëhet publik.

“Trupi gjykues do të vendosë për rishikimin e paraburgimit të z. Krasniqit, duke marrë parasysh parashtresat e mbrojtjes dhe të prokurorisë. Nuk mund të komentoj meritat e pretendimeve të asnjërës palë, pasi kjo do të jetë një çështje që duhet të vendosin gjyqtarët. Sapo vendimi të bëhet publik, ai do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të KSC-së”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të DHSK-së.

Në kërkesën, që në faqen e Speciales u bë publik në fund të korrikut, mbrojtja e Krasniqit mes arsyeve për lirim të përkohshëm përmend moshën e tij të shtyrë dhe kohën e gjatë të kaluar në paraburgim.

“Mbrojtja me respekt kërkon nga Trupi Gjykues që të shqyrtojë lirimin me kusht afatshkurtër për z. Krasniqin, gjatë pushimit gjyqësor, me kusht që ai të lirohet për një periudhë afërsisht dyjavore”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes Jakup Krasniqit.

Sipas parashikimit të prokurorisë, rasti ndaj Krasniqit do të zgjasë deri në prill të vitit 2025.

E avokati i licencuar pranë Gjykatës Speciale, Artan Qerkini, thotë se kërkesa ka bazë ligjore dhe se vendimi i gjykatës duhet të ketë parasysh parimin e humanitetit.

“Gjithë ata faktorë që përmendën në kërkesë, e përcaktojnë edhe natyrën e kërkesës, përkatësisht se kërkesa ka të bëjë me shkaqe humanitare. Nëse gjykata në praktikë i zbaton parimet e humanitetit, atëherë besoj se duhet të aprovoj kërkesën, aq më parë kur lirimi dyjavor i zotëri Krasniqit, në asnjë rrethanë nuk mund të ndikojë negativisht në ecurinë e procedurës gjyqësore”, ka thënë avokati Çerkini.

Jakup Krasniqi bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin u arrestuan në fund të vitit 2020. Ata akuzohen për krime lufte.

Gjatë kohës së luftës, Krasniqi shërbeu si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Related posts

92 pacientë me COVID po trajtohen në spitalet e Kosovës

admin

Zbulohen mbi 1 mijë raste të abuzimit seksual nga klerikët e Kishës Katolike Zvicerane

admin

RMV: Zgjedhjet presidenciale, Gordana Siljanovska Davkova përballë Stevo Pendarovskit në raundin e dytë

admin6