Prokurori i Shtetit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, për të dyshuarin M.P shtetas i Serbisë, të cilit iu gjetën rreth 107 kilogramë marihuanë.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit i cili ka qenë nën masën e ndalimit prej 48 orësh, për rastin e 107 kg marihuanë”, ka thënë Ulaj.
Policia e Kosovës konkretisht drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, të dielën rreth orës 22:40 në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në terminal doganor, ka ndaluar një kamion ‘Iveco’ me targa të huaja të cilin e drejtonte i dyshuari M.P., (1991), shtetas i Serbisë nën dyshimin për substancë narkotike.
Gjatë kontrollimit në dy rezervuarët e derivateve janë gjetur bunkerë të modifikuar, ku në brendi kishte 101 paketime të plastikës me të substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.
“Nga Njësia e Forenzikës është bërë sekuestrimi dhe tërheqja e dëshmive, ku pesha e përgjithshme e narkotikëve të sekuestruar ka qenë rreth 107 kilogramë. Po ashtu në cilësi të provave janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2.500 dinarë”, thuhej në njoftim.