RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

KESCO propozon dyfishim të çmimit të rrymës

kesco-propozon-dyfishim-te-cmimit-te-rrymes

Pas mospranimit të subvencionit të zotuar nga qeveria në muajin shkurt të këtij viti, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO ka kërkuar shtrenjtimin e rrymës. KESCO sot ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë propozimin për tarifat e reja të energjisë elektrike. KESCO ka propozuar dyfishim të çmimit të energjisë.

Propozimi i KESCO-s është që për konsumatorët familjarë, për bllokun 0 deri në 800 kilovatë, tarifa e lartë të jetë 12.68 centë për kilovat ndërsa tarifa e ultë të jetë 5.43 centë për kilovat.

Ndërsa për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në muaj, tarifa e lartë të jetë 23.53 centë ndërsa ajo e ultë 11.09 centë për kilovat.

Sipas propozimit të KESCO-s, tarifa e lartë aplikohet nga ora 07:00 deri në orën 22:00, për periudhën 1 tetor deri më 31 mars. Ndërsa nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lartë aplikohet prej orës 08:00 deri në orën 23:00.

Ndërsa sipas tarifave të energjisë që kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës, raporton Kallxo.com..

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Për kategoritë e tjera, tarifat e reja të propozuara nga KESCO mund t’i gjeni në tabelën më poshtë:

Zyra e Rregullatorit të Eenergjisë ka njoftuar se më 19 korrik, Furnizuesi i energjisë elektrike – KESCO, ka dorëzuar kërkesë zyrtare për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.

Kjo kërkesë është bërë si rezultat i mungesës së subvencionit të zotuar nga Qeveria e Kosovës si dhe trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.

“Pas pranimit të arsyeshmërisë së detajuar, ZRrE do të shqyrtojë kërkesën e FSHU-së për të parë nëse tejkalohet pragu i materialitetit prej 5% i të hyrave të FSHU-së dhe plotësohen kushtet e Rregullës për të Hyrat e FSHU-së që të hapet Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike” , thuhet në njoftimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sa i përket zotimit për subvencionin, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se janë duke kërkuar një zgjidhje teknike.

“Qeveria e Kosovws mbetet e përkushtuar që t’i mbështes qytetarët nga një rritje e përballueshme, deri më tani kemi punuar në pauza për gjetjen e zgjidhjeve teknike operacionale për ta realizuar subvencionin. Është diçka që jemi duke punuar vazhdimisht dhe besojmë që do të ndodhë shumë shpejtë” – ka deklaruar ajo.

Në aplikimin për shqyrtim të jashtëzakonshëm, nga KESCO kanë thënë se vazhdimisht kanë komunikuar me Ministrinë e Ekonomisë por që nga shkurti nuk kanë pranuar asnjë rimburësim dhe asnjë përgjigje se kur pritet të bëhen pagesat.

“Furnizuesi më 5 gusht 2022 ka pranuar edhe shkresën zyrtare nga Zyra e Rregullatorit për Energji lidhur me konfirmimin e përllogaritjes së subvencionit dhe në po të njëjtën ditë ka dërguar edhe faturën zyrtare për pagesat e muajt shkurt-prill 2022 konform vendimeve të Qeverise dhe në përputhje me miratimin e ATK-së në lidhje me përgatitjen e faturës përkatëse. Megjithatë, deri më sot, FSHU nuk ka pranuar asnjë rimbursim dhe njëkohësisht nuk ka marrë ndonjë informatë se kur mund të priten pagesat në fjalë” – thuhet në aplikimin e KESCO-s të dorëzuar në ZRRE.

Sipas KESCO-s, situata e krijuar gjatë kësaj periudhe e ka detyruar të operoj nën-kosto.

“Vlera e subvencionit e kalkuluar për konsumatorë sipas çmimeve të dërguara nga ZRRE-ja, për periudhën 9 shkurt-30 qershor 2022 ka tejkaluarën vlerën prej 32.8 milion eurove. Mungesa e rimbursimit të kësaj vlere të kalkuluar të subvencionit, tejkalon pragun e materialitetit prej 5% ashtu siç parashihet në nenin 11 të Rregullës për të Hyrat e FSHU-së, duke mundësuar hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm”, vazhdon shpjegimi i KESCO-s.

Related posts

Të paktën 4 të vdekur nga tërmeti i fuqishëm që tronditi pjesë të Afganistanit, Pakistanit dhe Indisë – VIDEO

admin

Izraeli godet kampet në qendër të Rripit të Gazës, zgjerohet sulmi në Rafah

admin

Kamberi përplaset me Vuçiqin për Kosovën

admin