RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Maqedonia e Veriut formon Këshillin për Koordinim të Aktiviteteve të NATO-s

maqedonia-e-veriut-formon-keshillin-per-koordinim-te-aktiviteteve-te-nato-s

Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut u mbajt seanca inauguruese e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e vendit në Aleancën e NATO-s.

Këshilli paraqet një mekanizëm zyrtar ndërqeveritar për koordinimin e çështjeve në drejtim të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes në lidhje me NATO-n, ndërsa ngjarja është organizuar bashkërisht me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut.

Seancën inauguruese e hapi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili u shpreh se Këshilli konfirmon përkushtimin e vendit për sigurinë përmes unitetit, si dhe lidhjet e fuqishme me Mbretërinë e Bashkuar.

“Sot e themelojmë këshillin për koordinimin e aktiviteteve të Maqedonisë së Veriut në NATO, që është një nevojë e drejtpërdrejtë nga anëtarësimi ynë në NATO. Duke i pasur parasysh sfidat e sigurisë dhe stabilitetit me të cilat përballemi si pjesë e komunitetit euroatlantik, formojmë një këshill që e forcon rezistencën tonë dhe që do të ndihmojë në paraqitjen tonë të koordinuar si institucione, kur është në pyetje çështja e sigurisë në kuptimin më të gjerë dhe puna e NATO-s”, tha Xhaferi.

Duke përmendur Rusinë dhe terrorizmin si dy kërcënime kryesore për NATO-n, ai u shpreh se NATO-ja nuk ka qenë kurrë më e bashkuar dhe më e fuqishme se tani.

Fjalim mbajti edhe ambasadori britanik në Shkup, Matthew Lawson, i cili përkujtoi se NATO-ja këtë vit feston 75-vjetorin e themelimit.

“NATO-ja është aleanca më e suksesshme e mbrojtjes në histori, në kuadër të së cilës më shumë se një miliard njerëz jetojnë në një mjedis më të sigurt. Mbledhja e parë e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO sot është pjesë e mbështetjes britanike për vendin, si partneri ynë i fuqishëm në NATO”, tha ambasadori Lawson.

Fjalim kishte edhe kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili tha se Ministria e Punëve të Jashtme e inicoi themelimin e këtij organi, i cili mundëson bashkëpunim dhe konsultim të sinkronizuar, efikas dhe të integruar ndërinstitucional për të gjitha çështjet që dalin nga anëtarësimi në Aleancë.

Pas fjalimeve në seancën inauguruese, vazhdoi takimi i mbyllur ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut.

Related posts

Përfaqësuesit e subjekteve politike nga komuniteti serb të gatshëm për të marrë mandatet

admin

Detaje të reja për sulmin terrorist në Stamboll, Ahlam Albashir kishte planifikuar arratisje në Greqi

admin

Rusia vendos të mbajë zgjedhje në rajonet e pushtuara të Ukrainës

admin