Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për Luginën e Preshevës, ka ftuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që t’i takojë shqiptarët e Luginës, njëjtë siç ka takuar serbët në Kosovë.
Sipas saj, takimi me përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve në Luginë “mund të kontribuojë në dërgim të mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sikurse tash në veriun e Kosovës”.
“Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane. Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka thënë ajo duke specifikuar çështjen e mosnjohjes së diplomave të të diplomuarve në universitetet e Kosovës. “Është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi”.
Në një postim në Facebook të shtunën në mbrëmje, Sinani ka thënë se harmonizimi i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë mes dy shteteve, “është në interes të paqes së nesërme midis tyre”.
“Përfshirja e të zgjedhurëve të tyre në proces është në shërbim të stabilitetit, sigurisë, evropianizimit dhe demokracisë së Ballkanit Perëndimor. Prandaj, z.Lajçak, Ju ftoj që të na takoni edhe neve, të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për t’na dëgjuar. Së paku”, ka shkruar Sinani.
Përfaqësues të Luginës kanë shtuar zërat kohëve të fundit me thirrjet për përfshirje në dialogun Kosovë-Serbi, sidomos pas insistimit të ndërkombëtarëve për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në dy ditët e fundit, Lajçaku ka qëndruar në Kosovë për çështjen e aneksit të implementimit të planit evropian, për përmbajtjen e të cilit janë pajtuar dy krerët e shteteve në takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Pos takimeve me liderët e Kosovës, Lajçaku takoi edhe krerë të Listës Serbe. Takimet do t’i vazhdojë në Serbi me përfaqësues të këtij shteti.
Takimi i ardhshëm i kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të mbahet më 18 mars në Ohër.