Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, mëngjesin e 29 majit ka shtuar prezencën në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
REL ka raportuar për prani të shtuar të KFOR-it në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna ku ditëve të fundit ka pasur rritje të tensioneve.
Serbët lokalë të këtyre komunave janë mbledhur më 29 maj për të kundërshtuar sërish kryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 23 prillit.
Më 26 maj, grupe të serbëve lokalë dhe Policia e Kosovës u përleshën, teksa kryetarët e rinj komunalë hynë në ndërtesat komunale.
Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga vendimet, dhe të mos tentojë të “hyrjen me forcë” në ndërtesat komunale, teksa Prishtina ka mbrojtur qëndrimin se kryetarët e rinj duhet të shkojnë në zyrat e tyre.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 28 maj i bëri thirrje Kosovës që të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues” në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.
Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje.
Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.