RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kina premton mosdërgimin e armëve në Rusi

kina-premton-mosdergimin-e-armeve-ne-rusi

Qeveria kineze theksoi se nuk do t’i japë Rusisë armë në mbështetje të pushtimit të saj të vazhdueshëm të Ukrainës.

“Ne nuk kemi furnizuar dhe nuk do të furnizojmë me armë palët në konflikt”, tha ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang pas gati dy orë bisedimesh me homologen e tij gjermane Annalena Baerbock, në Pekin.

Gjithashtu, ai tha se produktet me përdorim të dyfishtë, për qëllime civile dhe ushtarake, kontrollohen me ligj.

“Roli i Kinës në Ukrainë është të promovojë pajtimin dhe të avancojë negociatat e paqes”, tha Qin Gang.

“Nuk do të vazhdojmë të përkeqësojmë konfliktin”, tha ai.

Deklarata e tij erdhi pasi Baerbock i kërkoi Kinës që të nxisë presidentin rus, Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës së Kremlinit kundër Ukrainës.

“Vizita e liderit kinez, Xi Jinping në Moskë tregoi se asnjë vend tjetër nuk ka më shumë ndikim në Rusi sesa Kina. Vendimi se si Kina e përdor këtë ndikim ndikon drejtpërdrejt në interesat thelbësore të Evropës”, tha Baerbock.

“Shpresojmë që Kina do të inkurajojë Rusinë për t’i dhënë fund përfundimisht agresionit të saj në Ukrainë, dhe të angazhohet në zgjidhjen paqësore të konfliktit”, tha ajo.

“Kina, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ka gjithashtu një përgjegjësi të veçantë”, tha Baerbock.

Ajo lavdëroi Pekinin për sinjalizimin e angazhimit të tij për gjetjen e një zgjidhjeje, duke iu referuar një dokumenti prej 12 pikash të propozuar më herët nga Kina, që u kritikua nga Perëndimi.

Ajo tha se ishte po aq e rëndësishme që të mos lejohen dërgesat e armëve në Rusi që zgjasin më tej këtë agresion, dhe gjithashtu të parandalohet përdorimi i produkteve me përdorim të dyfishtë për luftë. /atsh

Related posts

Fëmija nga Gaza: Fëmijët në botë e presin Ramazanin me zbukurime ndërsa ne me zjarrin e bombave

admin

Ashpërsimi i masave kundër pirjes së duhanit, brenda pesë ditëve u shqiptuan 150 gjoba për shkelësit

rezart morina

Sot funerali i Shinzo Abe, mbi 700 të ftuar nga gjithë bota, mes tyre zyrtarë të lartë

admin