RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kinse parimor: Rama “lan duart” dhe me Vlora Hysenin

kinse-parimor:-rama-“lan-duart”-dhe-me-vlora-hysenin

Reagimi për të besuarën e tij në krye të spiunazhit shqiptar të rënë në rrjetën e SPAK-ut

Dihet tashmë forma se si kryeministri Rama “lan duart” me të tijtë që për shkak të skandaleve hetohen, arrestohen e merren të pandehur nga SPAK. Kështu ka bërë dhe për zgjedhjen e tij që kësaj gruaje nga Kosova t’i besojë spiunazhin shqiptar në kohë delikate ku ligjin e bëjnë Inteligjencat e shteteve. Kreu i qeverisë thotë, si gjithnjë, se askush nuk është mbi ligjin dhe se Hyseni do të shkarkohet menjëherë.

“Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur ‘litarin’ si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.”, ka shkruar Rama ndër të tjera.

Teksa ka lajmëruar se lirimi nga detyra i Vlora Hysenit është i menjëhershëm, dhe në momentin që do të rikthehet në Tiranë nga Nju Jorku, me konsultimin publik të presidentit do të zgjidhet drejtuesi i ri i SHISH.

Reagimi i plotë:

“Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.

Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor.

Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.

Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.

E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.

As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:

Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”.

Related posts

Përvjetori i gjenocidit në Srebrenicë: Qindra motoçiklistë, maratonistë dhe çiklistë në Potoçari

Irfan Jahiu

Lajçak: Ata që kryen sulmin në Banjskë të mbajnë përgjegjësi, s’ka imunitet për ta

admin

Të paktën 11 emigrantë humbën jetën gjatë një operacioni shpëtimi pranë Maltës

Hevzi