RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kjo bishë mes dy zjarreve…

kjo-bishe-mes-dy-zjarreve…

Uashingtoni i kërkon t’i japë fund luftës, teksa ai po përpiqet të fitojë kohë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me një dilemë gjithnjë e më të vështirë: të kënaqë aleatët e tij të së djathtës ekstreme në Izrael apo të ruajë mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara.

Refuzimi i tij, më 9 gusht, për një plan paqeje me 15 pika të mbështetur nga Uashingtoni ka shkaktuar skepticizëm edhe në Izrael, pasi vetëm pak ditë më parë kryeministri dukej se po diskutonte me ushtrinë detajet e një tërheqjeje nga disa zona të Gazës.

Plani amerikan, parashikonte ndër të tjera që Hamasi të dorëzonte armët, ndërsa Uashingtoni kërkon një zgjidhje të qëndrueshme për Gazën dhe rikthimin e kontrollit palestinez mbi territorin.

Në krahun tjetër, ministrat e ekstremit të djathtë që mbajnë në këmbë koalicionin qeverisës kërkojnë intensifikimin e ofensivës dhe vendosjen e kolonive izraelite në Gaza.

Qëndrimi i Netanyahu-t duket edhe më befasues për ushtrinë izraelite. Sipas televizionit Channel 12, drejtuesit ushtarakë kishin zhvilluar disa takime me kryeministrin dhe shefin e shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Eyal Zamir, për zbatimin e një plani të tërheqjes nga disa zona në jug të Gazës.

Një zyrtar i mbrojtjes tha se ushtria e mësoi ndryshimin e qëndrimit të kryeministrit nga mediat, ndërsa më parë Netanyahu kishte dhënë miratimin e tij për planin.

Përplasja me Trump

Refuzimi publik i planit amerikan, erdhi menjëherë pas vizitës në Izrael të admiralit Brad Cooper, kreut të Komandës Qendrore amerikane, i cili kishte përcjellë mesazhin e administratës Trump për përfundimin e luftërave në Gaza dhe Liban.

Një zyrtar i lartë ushtarak izraelit deklaroi se mesazhi amerikan ishte që ushtria të ecte drejt mbylljes së të tre fronteve të luftës. Sfida ndaj Donald Trump është e rrezikshme për Netanyahu-n.

Izraeli është gjithnjë e më i izoluar ndërkombëtarisht dhe mbetet i varur nga furnizimet ushtarake amerikane. Megjithatë, kryeministri ka një histori të gjatë përplasjesh dhe manovrash politike, edhe në marrëdhëniet me presidentët amerikanë.

Për momentin, Uashingtoni duket se po i trajton deklaratat e Netanyahu-t si pjesë të fushatës elektorale. Zgjedhjet izraelite janë planifikuar për 27 tetor dhe kryeministri ka arsye të forta për të mos humbur mbështetjen e elektoratit të djathtë.

Në të njëjtën kohë, Trump ka axhendën e tij politike, pasi zgjedhjet afatmesme amerikane zhvillohen vetëm një javë më vonë. Netanyahu duket se po përpiqet të luajë në të dyja anët: retorikë të ashpër për opinionin publik izraelit dhe, paralelisht, hapa më të kujdesshëm në terren.

Ditët e fundit, sulmet ajrore në Gaza janë reduktuar dhe operacionet duhet të marrin tashmë miratimin e shefit të shtabit, përveç rasteve kur trupat izraelite konsiderohen në rrezik të menjëhershëm.

Nuk është hera e parë që Netanyahu i nënshtrohet presionit amerikan për të frenuar konflikte të mbështetura fuqishëm nga aleatët e tij të ekstremit të djathtë. E njëjta dinamikë është parë edhe në Liban dhe në përplasjen me Iranin.

Por kjo strategji mund t’i blejë vetëm pak kohë. Vizita e fundit e Netanyahu-t në Shtëpinë e Bardhë ishte dukshëm më e ftohtë se zakonisht dhe përfundoi pa një deklaratë të përbashkët.

Gazeta izraelite Haaretz thekson në dukje se përplasja mes prioriteteve politike të Netanyahu-t dhe Uashingtonit po bëhet gjithnjë e më e dukshme.

Ndërkohë, palestinezët në Gaza vazhdojnë të jetojnë në kushte katastrofike. Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Trump vitin e kaluar nuk i dha fund luftimeve. Sulmet kanë vazhduar, ndërsa kufizimet ndaj furnizimeve dhe karburantit kanë penguar rindërtimin e banesave dhe infrastrukturës.

Shumica e të mbijetuarve jetojnë ende në kampe të improvizuara, me kushte të rënda sanitare dhe mungesa ushqimore. Ekspertët parashikojnë se deri në prill 2027, më shumë se 70 mijë fëmijë mund të kenë nevojë për trajtim për kequshqyerje akute.

Në këtë situatë, Netanyahu po përpiqet të qëndrojë mes dy zjarreve: presionit të Trump për t’i dhënë fund luftës dhe kërkesave të aleatëve të tij për ta përshkallëzuar atë. Pyetja është nëse kjo manovër do ta çojë deri në zgjedhjet e tetorit apo nëse durimi i Uashingtonit do të mbarojë më herët. tesheshi

Related posts

Gabriel Escobar mbërrin në Prishtinë, zyrtari amerikan nis takimin me presidenten Osmani

admin

Maqedoni e Veriut, falet namazi i xhenazes në mungesë për viktimat e tërmetit në Turqi

Muhamet Ramadani

Erdoğan: Suksesin e 14 majit ta kurorëzojmë me fitore të madhe më 28 maj

admin