Shtatë palestinezë janë plagosur në sulmet e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, ndërsa ushtria izraelite arrestoi gjashtë të tjerë, transmeton Anadolu.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa raportoi se tre prej tyre u plagosën në qytetin Jalud, në jug të Nablusit. Ata u transferuan në një qendër mjekësore në qytetin Qabalan për trajtim.
Në Jabal Jalis, në lindje të Hebronit, katër palestinezë, përfshirë një grua 71-vjeçare, u plagosën në një sulm nga kolonët.
Në Masafer Yatta, në jug të Hebronit, sipas aktivistit Osama Makhamreh, kolonët lëshuan bagëtinë e tyre në tokat e banorëve dhe shkulën rreth 30 pemë ulliri.
Dëshmitarët okularë thanë se kolonët vazhduan sulmet e tyre të përditshme ndaj fshatit Duma, në juglindje të Nablusit.
Në një zhvillim të lidhur me këtë, burime lokale thanë për Anadolu se ushtria izraelite arrestoi dy të rinj nga lagjja Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të pushtuar.
Në Jenin, ushtria izraelite arrestoi dy banorë nga fshati Kafr Qud pasi bastisi dhe kontrolloi shtëpitë e tyre.
Sipas agjencisë palestineze, e cila citoi burime lokale, ushtria izraelite gjithashtu kreu bastisje në Arraba, në fshatin Bir al-Basha në jug të Jeninit dhe në Silat al-Harithiya në perëndim, duke kontrolluar disa shtëpi pa kryer arrestime.
Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor po përballen me një rritje të operacioneve ushtarake izraelite, përfshirë bastisje, arrestime, të shtëna me armë dhe përdorim të forcës së tepruar.
Palestinezët gjithashtu po përballen me sulme në rritje nga kolonët që synojnë të ushtrojnë presion mbi banorët për t’u larguar nga tokat e tyre në favor të zgjerimit të vendbanimeve.
Rreth 750 mijë kolonë izraelitë jetojnë në 141 vendbanime dhe 224 pika kolonizimi në Bregun Perëndimor, përfshirë rreth 250 mijë në Kudsin Lindor, të cilin OKB-ja e konsideron pjesë të territoreve palestineze të pushtuara.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet nga ushtria izraelite dhe kolonët në Bregun Perëndimor kanë vrarë të paktën 1.155 palestinezë, kanë plagosur rreth 11.750 të tjerë dhe kanë çuar në arrestimin e afër 22 mijë personave.

