RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kolumbi, djali i presidentit pranon se në fushatën zgjedhore ka marrë para të paligjshme

kolumbi,-djali-i-presidentit-pranon-se-ne-fushaten-zgjedhore-ka-marre-para-te-paligjshme

Nicolas Petro, djali i madh i presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro, pranoi të enjten se për fushatën presidenciale të babait të tij kishte marrë para të paligjshme vitin e kaluar, njoftoi prokurori i çështjes, raporton Anadolu.

“(Nicolas) Petro dha informacione përkatëse për të cilat Prokuroria nuk kishte dijeni deri më tani”, tha Mario Andres Burgos.

Kjo përfshin “financimin e fushatës së kaluar presidenciale të presidentit aktual dhe paratë që hynë në atë fushatë, të cilat me sa duket kanë tejkaluar kufijtë minimalë të lejuar me ligj”. Burgos tha se Petro pranoi se paratë ishin dhuruar nga tre persona të lidhur me trafikun e drogës dhe kontrabandës.

Prokurori tha se “një pjesë e parave është përdorur nga Nikolas Petro dhe partneri i tij për përfitime personale ndërsa pjesa tjetër është investuar në fushatën presidenciale”.

Prokuroria e Përgjithshme publikoi biseda, regjistrime dhe dokumente të firmosura nga Petro që tregonin pagesat në para të fushatës dhe blerjen e një apartamenti luksoz me ato para. Këshilli Kombëtar i Zgjedhjeve tashmë ka hapur hetime për fushatën pasi disa shpenzime nuk iu raportuan organeve zyrtare.

Nicolas Petro u arrestua të shtunën për pastrim parash dhe pasurim të paligjshëm. Për pastrim parash dhe shkelje të të dhënave personale u arrestua edhe ish-bashkëshortja e tij, Daysuris Vasquez.

Mbrëmjen e së enjtes, presidenti Petro foli për trazirat politike dhe ligjore në të cilat është përfshirë fushata e tij. Ai tha se nuk i kishte dhënë urdhër asnjë anëtari të familjes së tij për të kryer krime apo autorizuar procedura të paligjshme për të ardhur në pushtet.

“Të jeni të sigurt se kjo qeveri përfundon sipas mandatit popullor, të askujt tjetër dhe është mirë që kjo është e qartë në Kolumbi. Ne nuk do të largohemi deri në vitin 2026. Çdo ide e kundërt shpresojmë të shuhet shpejt. Ftoj njerëzit që kanë ide të tjera të ndalojnë”, tha Petro në një fjalim.

Related posts

Kovaçevski: Janë hapur negociatat me Bashkimin Evropian

admin

Lufta në Palestinë: Këtu janë disa nga zhvillimet më të fundit

admin

Tragjeditë në Serbi, amnisti për dorëzimin e armëve të paligjshme deri më 8 qershor

admin