RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Komandanti i KFOR-it: Kemi katërfishuar praninë në veri

komandanti-i-kfor-it:-kemi-katerfishuar-pranine-ne-veri

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, tha se situata e sigurisë në Kosovë, pas rritjes së tensioneve në muajt e fundit, është përmirësuar dhe tha se NATO-ja iu përgjigj shpejt dhunës së fundit duke vendosur edhe 1000 ushtarë dhe automjete të blinduara shtesë.

Ulutash ka thënë në një intervistë për median serbe “Tanjug” se është katërfishuar prania e KFOR-it në veri të Kosovës, si dhe është trefishuar numri i patrullave, duke përfshirë edhe pikat kufitare.

“Këto janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni ynë të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo moment dhe në mënyrë të paanshme”, tha ai.

Ai tha se NATO është fuqishëm e përkushtuar për sigurinë e Kosovës dhe shtoi se KFOR-i do të qëndrojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në përputhje me mandatin e OKB-së.

“KFOR-i gjithashtu vazhdon të krijojë kornizën e sigurisë të nevojshme për përparimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, që është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm”, tha ai.

Ulutash tha gjithashtu se nuk mund të komentojë ndihmën ushtarake të qeverisë turke për Kosovën.

“Nuk më takon mua të komentoj nismat dypalëshe. Si komandant i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, unë punoj përmes zinxhirit komandues ushtarak të NATO-s”, u shpreh ai.

Komandanti i KFOR-it tha se me ardhjen e tij në Kosovë i kanë bërë më së shumti përshtypje njerëzit dhe se ka kuptuar se dëshira e të gjitha komuniteteve është të jetojnë në paqe dhe siguri të përhershme.

I pyetur nëse ka folur me përfaqësuesit e komunitetit serb në veri të Kosovës, por edhe në jug të Ibrit, Ulutash tha se prioriteti i tij ishte të nxiste komunikimin dhe koordinimin e bazuar në besim.

“KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe vendorë. Deri më tani, si komandant i KFOR-it, kam pasur takime me shumë bashkëbisedues, duke përfshirë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë së Kosovës, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerallejtënant Mojsiloviq, peshkopin Teodosije, abatin Sava Janjiq, shefin e EULEX-it, gjeneralmajor Barbano dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe komunitetit diplomatik”, deklaroi Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Related posts

Turqia “thellësisht e shqetësuar” për vrasjen ‘serike’ të 4 muslimanëve në SHBA

admin

Begaj vizitë zyrtare në Kroaci

admin

Çmimi i Karlit të Madh për herë të parë i jepet një rabini! Kush është Pinchas Goldschmidt dhe arratisja e tij nga Moska pas pushtimit rus të Ukrainës

admin