RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Komiteti i OKB-së nuk arrin konsensus mbi anëtarësimin e Palestinës

komiteti-i-okb-se-nuk-arrin-konsensus-mbi-anetaresimin-e-palestines

Komiteti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Pranimin e Anëtarëve të Rinj nuk arriti konsensus mbi pranimin e Palestinës si anëtare e plotë e OKB-së, tha të enjten për Anadolu misioni i përhershëm i Maltës në OKB.

“Nuk kishte konsensus për një rekomandim për anëtarësim”, tha misioni i Maltës, i cili aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin prill.

Në deklaratë theksohet më tej se Malta do të përgatisë një raport për këtë çështje dhe do t’ua shpërndajë anëtarëve të Këshillit.

Përfaqësuesja e Përhershme e Maltës në OKB, Vanessa Frazier, në fjalën e saj për gazetarët deklaroi se nuk kishte asnjë problem për kushtet për anëtarësim, duke thënë se dy të tretat e Komitetit e mbështesin anëtarësimin.

Në vitin 2011, Palestina paraqiti një ofertë për t’u bërë anëtare e plotë e OKB-së, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e kërkuar nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Megjithatë, i dërguari palestinez në OKB, Riyad Mansour njoftoi më 2 prill se i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres duke kërkuar që aplikimi i tyre për anëtarësim të rishqyrtohet.

Më 3 prill, Guterres i shkroi letër Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke bërë thirrje për shqyrtimin e kërkesës së Palestinës.

Në Këshillin e Sigurimit ka nisur procesi i pranimit të anëtarëve të rinj të OKB-së. Pas diskutimeve, Këshilli pritet t’ia referojë çështjen Komisionit për Pranimin e Anëtarëve të Rinj.

Nëse komiteti përgjigjet pozitivisht, Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të votojë, me kushtin që asnjë nga anëtarët e tij të përhershëm të mos ushtrojë të drejtën e vetos dhe të paktën nëntë nga 15 anëtarët të votojnë në favor të një rezultati pozitiv.

Nëse Këshilli miraton, çështja i referohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Miratimi i anëtarësimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh kërkon një shumicë prej dy të tretave të votave.

Që nga viti 1974, Palestina ka marrë pjesë në OKB si vëzhguese.

Related posts

Policia njofton se mjeti i gjetur në Tokbashqe, nuk ishte shpërthyes

admin

Kurti nuk pranon propozimin e QUINT-it

admin

Deputetët kërkojnë ndryshimin e UA-së që ndalon bartjen e shamisë në shkolla

rezart morina