Ndonëse që tri ditë ka nisur procesi mësimor pas grevës pesëjavësh në arsim, sërish janë shfaqur mospajtime ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për kompensimin e orëve të humbura.
Ministria e Arsimit të martën nxori vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vitit shkollor 2022-2023 dhe sipas këtij vendimi ditët e humbura gjatë grevës së SBASHK-ut do të kompensohen të shtunave deri në janar të 2023.
Kompensimi do të nisë nga 15 tetor 2022.
“Tetë ditë të mësimit të pa mbajtura për parafillore dhe klasat (1-8) sipas UA-05/2022 për Kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 do të mbahen ditëve të shtune, si në vijim:
-Në muajin tetor, 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022;
-Në muajin nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;
-Në muajin dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;
-Në muajin janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka theksuar se gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të përfundojë më datë 27.01.2023. Ndërkaq, pushimi dimëror për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë më datë 30.01.2023 dhe mbarojë më 03.02.2023.
“Gjysmëvjetori i dytë fillon me datë 06.02.2023. Në pesë ditë të planifikuara të pushimit pranveror sipas UA-05/2022, do të mbahet procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Përfundimi i gjysmëvjetorit të dytë do të jetë si në vijim:
–Për klasën e 12-të (maturantë) përfundon më datë 05.06.2023;
-Për klasat 9,10 dhe 11 përfundon me datë 27.06.2023;
-Për parafillor dhe klasat 1-8 përfundon më datë 30.06.2023”, ka shkruar Nagavci.
Por me këtë nuk janë pajtuar nga Sindikata e Arsimit.
Zenun Nimani nga SBASHK-u ka thënë se në bazë të kontratës kolektive, orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen.
Ai në një prononcim në RTV Dukagjini ka thënë se SBASHK-u tashmë është duke bërë një planifikim për kompensimin e njësive të humbura mësimore.
“Jemi duke bërë planifikimin që brenda orëve të rregullta, të fuzionohen njësitet e humbura mësimore ku ka mundësi në mënyrë që deri në fund të vitit të arrihet deri diku plan programi mësimor”, ka deklaruar zyrtari i SBASHK-ut.
Nimani ka thënë se ka qenë e pritshme një lëvizje taktike e tillë për zëvendësimin e orëve mësimore nga Ministria e Arsimit qysh në ditën kur nuk kanë dalë pagat.
Megjithatë sqaron se opsion mbetet bashkimi i njësiteve mësimore, apo zhvillimi i tyre gjatë orëve të planifikuara për përsëritje.
“Pra mundësia është ri planifikimi i orëve mësimore në mënyrë që njësitet e humbura mësimore të barten aty ku ka mundësi dhe të bëhen nga dy, apo gjatë përsëritjeve”.
Namani thotë se aktualisht këshillat e SBASHK-ut janë kundër zëvendësimit të orëve mësimore.