Me heqjen e këtij amendamenti nga ligji përfundimtar, hapet rruga që të realizohet kërkesa e Turqisë për blerjen e 40 avionëve F-16 nga ShBA-ja.
Amendamenti që i vendoste një sërë kushte shitjes së avionëve F-16 për Turqinë është hequr nga ligji përfundimtar për shpenzimet e mbrojtjes në ShBA.
Të martën, lidhvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat thanë se kanë arritur marrëveshje për ligjin e shpenzimeve vjetore të mbrojtjes.
“Me kënaqësi ju njoftojmë se kemi arritur në një marrëveshje dypalëshe për Aktin e Autorizimit Kombëtar të Mbrojtjes së këtij viti,” thanë në një deklaratë demokratët dhe republikanët në komitetet e shërbimeve të armatosura të Dhomës dhe Senatit.
Ligji pritet të kalojë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve këtë muaj dhe t’i dërgohet Shtëpisë së Bardhë për nënshkrimin e Bidenit.
Turqia bëri kërkesë në tetor për të blerë 40 avionë F-16 të prodhuara nga Lockheed Martin, dhe rreth 80 komplete për modernizimin e avionëve luftarak që i ka në pronësi.
Washingtoni deri tani është përmbajtur nga qëndrimet rreth shitjes, duke thënë se nisma duhet të kalojë procesin standard të shitjes së armëve. Por, administrata e Biden beson se shitja e mundshme e avionëve F-16 për Turqinë do të ishte në një vijë me interesant e sigurisë të ShBA-së dhe do t’i shërbente unitetit afatgjatë në NATO, pati thënë Stejt Departamenti në një letër drejtuar Kongresit.
Shitja e armëve amerikane për aleatin në NATO, Turqia, u bë kontestuese pasi Ankaraja bleu sistemin raketor mbrojtës nga Rusia, duke nxitur sanksione nga ShBA-ja dhe heqjen e Turqisë nga programi i prodhimit të avionëve F-35.
Turqia thotë se zgjodhi të blejë sistemin rus të mbrojtjes pasi ShBA nuk ia shiti Ankarasë sistemin e saj raketor Patriot.