RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Konjufca: Siguria parakusht për stabilitetin, synojmë bashkëpunim të ndershëm në Ballkan

konjufca:-siguria-parakusht-per-stabilitetin,-synojme-bashkepunim-te-ndershem-ne-ballkan

Në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya (ADF), Zëvendëskryeministri njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, tha se siguria mbetet parakushti kryesor për stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim më të thellë rajonal dhe përmirësim të ndërlidhjes infrastrukturore, raporton Anadolu.

Duke folur në një sesion me homologë nga rajoni me temë “Korrja e paqes në Ballkan: Dialogu, biznesi dhe lidhshmëria”, Konjufca tha se Kosova e ka bazuar qasjen e saj në dy parime kryesore: forcimin e partneriteteve aty ku ekziston vullnet për bashkëpunim dhe shmangien e përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve në sjellje armiqësore.
“Kosova ka treguar partneritet të fortë me vendet fqinje. Marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, jo të lehta me BeH dhe shumë të ndërlikuara dhe të vështira me Serbinë”, tha Konjufca.

Duke folur për rëndësinë e sigurisë, ai theksoi se çdo zhvillim ekonomik apo infrastrukturor mbetet peng nëse siguria rrezikohet. Në këtë kontekst, përmendi edhe ndikimin e luftës në Ukrainë pas agresionit rus të vitit 2022, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shkatërruar një shtet, një popull dhe vlerat evropiane që, sipas tij, po mbrohen në Ukrainë.

“Kosova ka përjetuar gjenocid në 1999 dhe nuk mendoj se ndonjë shtet tjetër do paqe dhe stabilitet më shumë se vendi im”, tha Konjufca.

Ai shtoi se, megjithëse Kosova ka ratifikuar marrëveshjen për heqjen e vizave me Bosnjë e Hercegovinën, zbatimi ende nuk ka avancuar për shkak të bllokadave të brendshme.

“Duke u nisur nga Kosova, mund të arrish më shpejt në Stamboll sesa në Sarajevë, edhe pse distanca është dyfish më e madhe”, tha ai, duke e përdorur këtë si shembull të mungesës së ndërlidhjes në rajon.

Sipas tij, vizioni i Kosovës është një Ballkan Perëndimor me bashkëpunim të lirë dhe të ndershëm ndërmjet shteteve, me heqje të barrierave dhe funksionim më efikas rajonal.

Konjufca po e përfaqëson vendin në Turqi Forumin Diplomatik në Antalya, ku pritet të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare.

Related posts

Rreziku i përshkallëzimit të tensionit ushtarak midis Teheranit dhe Izraelit, Franca u bën thirrje qytetarëve të saj që të largohen menjëherë nga Irani

admin

Forcat izraelite rrëmbejnë të paktën 11 palestinezë gjatë bastisjeve në Bregun Përendimor

admin

Liga Arabe: Ripranimi i Sirisë nuk do të thotë rifillim i lidhjeve me shtetet arabe

Muhamet Ramadani