RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kosova dhe Serbia takohen më 2 maj në Bruksel, detajet që dihen deri tash rreth takimit

kosova-dhe-serbia-takohen-me-2-maj-ne-bruksel,-detajet-qe-dihen-deri-tash-rreth-takimit

Bashkimi Evropian tha të premten se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e radhës në Bruksel në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

“Pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth kuadrit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera të rëndësisë politike”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

Diplomatët perëndimor presin nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë që gjatë takimit të dy majit të arrijnë përparim në zbatimin e marrëveshjes.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shkroi pas një bisede telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se pret një takim konstruktiv dhe përparim në dialog, posaçërisht për formimin e Asociacionit.

Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të këtij asociacioni që përbëhet nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë, tashmë ka filluar punën në hartimin e statutit që pritet të paraqitet në tryezën e bisedimeve.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shkroi se sipas një vendimi të vitit 2020 parashihet që Ekipi Menaxhues të bashkërendohet më ministrinë e tij dhe t’i raportojë asaj. Por, ky ekip, tha ai, nuk i është përgjigur një ftese për takim.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se mos raportimi nga ana e ekipit menaxhues është qasje e papërgjegjshme ndaj institucioneve të vendit.

“Unë nuk pres ndonjë gjë të mirë nga një kryesuese e këtij Ekipi menaxhues e cila është deputete e Aleksandar Vuçiçit dhe deputetja e Aleksandar Vuçiçit nuk mundet me shkruajt pjesë të rregullimit institucional të Republikës së Kosovës, kjo është ABC e interesit tonë publik dhe shtetëror”, tha ai.

Konjufca tha se Ekipi menaxhues duhet të përbëhet nga njerëz të Kosovës që nuk e përfaqësojnë në asnjë mënyrë interesin e Serbisë. Ai tha se Kosova nuk do të pranojë asgjë nga ky ekip që është në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Ata e kanë nënshkruar edhe me 2015 marrëveshjen për Asociacionin por më e lartë është Kushtetuta jonë, më e lartë është Gjykata jonë Kushtetuese e cila e ka rrëzuar atë poshtë. Kështu që nëse nisemi nga ky princip, nëse e mbajmë këtë drejtim edhe mundësia e Ekipit menaxhues edhe e (Aleksandar) Vuçiçit për të dëmtuar Kosovën nëse ne i mbajmë interesat tona, nëse ne nuk bëjmë kompromis me kushtetutën tonë, hapësira e tyre është faktikisht fiktive për t’i bërë dëm Kosovës”, tha zoti Konjufca.

Udhëheqësit e Serbisë dhe të serbëve lokal në veriun e Kosovës thonë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe me 23 prill bojkotuan zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës në veriun e banuar më shumicë serbe.

Kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut ku shumicë janë përfaqësuesit e komunitetit shqiptar pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës miratoi dje një kërkesë që të hapet për lëvizjen e lirë të makinave ura kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse me komunën e Mitrovicës së Jugut.

Kjo kërkesë nxiti reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me këtë kërkesë dëshiron të largojë serbët nga Kosova, dhe se po dëshiron konflikte me çdo kusht.

Ura kryesore mbi lumin Ibër, që nga paslufta ka ndarë Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë dhe të veriut të banuar me serbë ndërsa ende mbetet e mbyllur për lëvizjen e makinave. Hapja e saj ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në vitin 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nuk është zbatuar kurrë./VOA

Related posts

Kurti i përgjigjet Vuçiqit: Unë jam kryeministër i shpresës, ti je president i dhunës e frikës

admin

SHBA, 14.600 të vdekur nga icidentet e dhunës me armë këtë vit

rezart morina

Akuzohet për korrupsion, senatori demokrat Bob Menendez shpallet fajtor në gjyqin federal

admin