RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kosova inicion aderimin në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

kosova-inicion-aderimin-ne-komisionin-nderkombetar-per-personat-e-zhdukur

Qeveria e Kosovës ka miratuar një projektligj që mundëson nisjen e procedurave për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), me seli në Hagë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 26 prill tha se aderimi në këtë komision do të rrisë mundësitë e bashkëpunimit rajonal për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve të Kosovës, 1.617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë më 1998/99.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ICMP-ja ka qenë e angazhuar në Kosovë që nga vitet e para të pasluftës.

“Kosova, me aderimin në këtë komision, zgjeron rrjetin e organizatave ndërkombëtare në të cilat është anëtare dhe konsolidon subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar, vepron në bazë të konkluzave të aprovuara në samitin e Londrës më 2018 për Ballkanin Perëndimor, ku është përkrahur prioritizimi i çështjes së personave të zhdukur”, tha ai.

“Prandaj, aderimi i Kosovës në këtë organizatë do t’i jepte shtysë zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”, shtoi Bislimi.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndërkombëtare, por nuk është pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara.

Mandati i këtij komisioni është që të ofrojë bashkëpunimin e qeverive dhe autoriteteve të tjera me synim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur – kryesisht shqiptarë.

Related posts

Jordania dënon hapjen e ambasadës së Papua Guinesë së Re në Kuds

rezart morina

“Nuk duam të heshtim”, nëntë pjesëmarrës të Eurovizionit bënë thirrje për armëpushim në Gaza

rezart morina

Hapet xhamia e re në Shtutgart

admin