Në asnjë rast të vetëm Kosova nuk është përmendur në fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të premten.
Për rreth 20 minuta Rama ka folur për inteligjencën artificiale, rreziqet nga ajo dhe ka bërë thirrje për marrëveshje ndërkombëtare për “AI sovrane dhe demokratike”.
Duke e nisur fjalimin me cilësimin e Shqipërisë si shtet “që ka jetuar të ardhmen”, Rama ka vazhduar me thirrje për marrëveshje ndërkombëtare. Ai ka thënë se qytetarët duhet të dinë kur përmbajtja politike gjenerohet artificialisht apo është manipuluar. Kërkesë e dytë, sipas tij, duhet të jetë transparenca dhe që qytetarët e shtetet të dinë kush krijoi përmbajtje apo shenjëstroi artificialisht. Rama ka bërë thirrje që llogaridhënia ligjore dhe njerëzore të jetë e qartë për cilindo institucion publik që përdor inteligjencën artificiale.
Rama ka kërkuar që demokracitë të bashkëpunojnë për krijimin e një mekanizmi të përbashkët për identifikimin në kohë të rreziqeve.
Më 16 shtator, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpall fajtor për krime lufte nga Gjykata Speciale. Thaçi u dënua me 25 vjet burg për krime, përfshirë vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm, si një nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkë me Thaçin u dënuan edhe Jakup Krasniqi me 25 vjet, Kadri Veseli 18 dhe Rexhep Selimi 13.
Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar në New York në margjina të Asamblesë së Përgjithshme për takime me liderë të shteteve. /koha

