Policia e Kosovës ka njoftuar se disa persona janë plagosur në tregun e kafshëve në qytetin e Prizrenit si pasojë e shpërthimit të një granate dore, transmeton Anadolu.
Policia e Kosovës e cila e konsideroi këtë rast si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha në njoftim për media se rasti ndodhi rreth orës 4 e 50 minuta të mëngjesit.
“Nga informatat e para dyshohet se 9 persona kane pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore. Të gjithë të lënduarit janë në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit duke marrë trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, të dyshuar mbi këtë rast janë 3 persona të cilët janë në kërkim policor.
Policia ka dalë në vendngjarje dhe është informuar prokurori kujdestar. Gjithashtu, në vendngjarje kanë dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë.