Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim që nga 1 shkurti në Kosovë euro të jetë valuta e vetme e lejuar për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme, transmeton Anadolu.
Siç njofton BQK-ja, me rregulloren e re të miratuar nga Bordi i BQK-së “valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro”.
BQK-ja ka dhënë sqarim edhe për atë se si mund të përdoren valutat e tjera jo-euro, që gjenden në Kosovë.
“Valutat e tjera jo-euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo-euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo-euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, thuhet në rregullore.
Në komunat veriore të Kosovës ku ka shumicë të komuniteti serb, qytetarët e përdorin dinarin si valutë për pagesa, ndërsa ky vendim pritet që t’i prekë ata direkt.
Rregullorja e BQK-së, thuhet në njoftim, u miratua me qëllim që të “avancojë dhe përcaktojë standardet rregullative për realizimin profesional të detyrave të institucioneve financiare në lëmin e operacioneve me para të gatshme, duke përfshirë kontrollin e sasisë se parasë në qarkullim, mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar, luftën ndaj parasë se falsifikuar, mbrojtjen e konsumatorit, si dhe luftën ndaj aktiviteteve të shpëlarjes se parasë dhe financimit të terrorizmit”.